Begaj thërret partitë në konsultime, gazetarja Dunisha jep detaje për zgjedhjet vendore 2027, ja kur pritet të shpallet data

Politikë | 1 orë më parë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka ftuar partitë parlamentare dhe grupet parlamentare në një tryezë konsultimi më 30 tetor, për të diskutuar mbi datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Ndërkohë, Partia Demokratike ka shprehur rezerva për këtë proces, duke e cilësuar nismën e kreut të shtetit si një përpjekje për të bërë “show politik”. Sipas gazetares Rugova Dunisha, Partia Demokratike ka shprehur kundërshtimin ndaj kësaj nisme, përmes kreut të grupit parlamentar, Gazment Bardhi, i cili e ka cilësuar thirrjen e presidentit si një përpjekje për të bërë “show politik”. Nga ana tjetër, Partia Socialiste, përmes Taulant Ballës, i ka bërë thirrje opozitës të marrë pjesë në konsultime dhe të mos bojkotojë procesin.

Gazetarja Dunisha Rugova sqaroi se konsultimet e thirrura nga Presidenti Bajram Begaj synojnë përcaktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027, të cilat pritet të zhvillohen në periudhën 15 prill–15 maj. Sipas saj, kreu i shtetit pritet të shpallë datën zyrtare të zgjedhjeve brenda 9 nëntorit, pas konsultimeve me përfaqësuesit e forcave politike. Rugova bëri me dije se Partia Demokratike ka shprehur kundërshtimin ndaj pjesëmarrjes në tryezën e presidentit. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka kritikuar nismën e Begajt, duke argumentuar se vendi përballet me problematika që kërkojnë reagim konkret institucional dhe jo, sipas tij, një shfaqje politike përmes konsultimeve.

Nga ana tjetër, gazetarja theksoi se Partia Socialiste ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm, duke i bërë thirrje opozitës të marrë pjesë në tryezë dhe të vijojë traditën e dialogut institucional me presidentin. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i ka kërkuar PD-së të mos bojkotojë procesin dhe të bëhet pjesë e diskutimeve për zgjedhjet e ardhshme vendore. Dunisha Rugova sqaroi gjithashtu se, pavarësisht qëndrimeve të forcave politike, caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë e Presidentit të Republikës, në përputhje me kuadrin kushtetues.

Një tjetër çështje e rëndësishme në prag të zgjedhjeve të vitit 2027 mbetet reforma territoriale, si dhe mundësia e zgjerimit të votimit dhe numërimit elektronik në më shumë bashki të vendit. Sipas gazetares, në takimet e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me përfaqësuesit e partive politike është diskutuar për shtrirjen e mëtejshme të kësaj teknologjie, me qëndrime të ndryshme mes forcave politike. Rugova nënvizoi se mbetet ende e paqartë nëse Partia Demokratike do të marrë pjesë në konsultimet e 30 tetorit me presidentin Begaj. Ndërkohë, opozita vijon të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare përpara zgjedhjeve vendore.

Vendimi i PD-së për pjesëmarrjen në tryezë pritet të qartësohet në ditët në vijim, ndërsa konsultimet politike do të shërbejnë për përcaktimin e kalendarit të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme