Belsh, Berisha akuzon Ramën për vjedhjen dhe shpërdorimin e 122 miliardë lekeve dhe bën thirrje për ndryshim

Ish kryeministri dhe kreu i grupimit të Rithemelimit në PD Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin e vendit Edi Rama se ka ndryshuar disa projekte të infrastrukturës rrugore në vend me synimin për të vjedhur.
Gjatë prezantimit të kandidatit për kryetar bashkie, Bedri Qypi në Belsh, zoti Berisha tha se qeveritarët aktualë kanë “vjedhur fondet publike në mënyrën më të pamëshirëme”.
“Unë ju them këtu, u them gjithë banorëve të Belshit, që sipas KLSH-së brenda 9 muajve, qeveria e Edi Ramës ka vjedhur dhe shpërdoruar 122 miliardë lekë. 122 miliardë lekë mjaftojnë plotësisht për të rritur të gjitha rrogat në Shqipëri, 130%. Fondi i pagave është 97 miliardë lekë” tha zoti Berisha.
Një temë tjetër që përmendi kreu i PD në fjalën e tij ishte dhe çpopullimi i vendit.
“Do t’ju them vetëm një moment, në 8 vite janë larguar vetëm në hapësirën Shengen 937 mijë shqiptarë, nga të cilët 80 % nën 30 vjeç. Këtu nuk përfshihen ata që janë larguar në SHBA, Kanada dhe vende të tjera. Në 8 vite nga Shqipëria janë larguar një milion qytetarë”, tha zoti Berisha.
Duke ju referuar viteve kur PD dhe qeveria e saj ishte në pushtet zoti Berisha tha se “Dumreja dhe e gjithë Shqipëria rurale në vitet 2005-2013 kanë marrë investime në infrastrukturë, rrugë, kanalizime, rrugë të dyta, të treta më shumë se kurrë në histori. Janë bërë 3.2 miliardë euro investime”.
Duke ju kërkuar mbështetje banorëve të Dumresë dhe votën për PD, zoti Berisha tha : “Unë besoj se nga secili prej nesh një thirrje e brendshme duhet të na ftojë, të votojmë ndryshimin!”.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




