Ben Uallas jep dorëheqjen nga posti i Sekretarit britanik të Mbrojtjes, zëvendësohet nga Grant Shaps

Sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Uallas (Wallace) ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen, duke u zëvendësuar nga Grant Shaps (Shapps).
53-vjeçari Uallas, i cili luajti një rol kyç në mbështetjen e Ukrainës kundër pushtimit rus, së fundmi kishte paralajmëruar se dëshironte të largohej nga jeta politike pas nëntë vitesh në qeveri, përfshirë katër në mbrojtje.
“Unë u zgjodha deputet në vitin 2005 dhe pas gjithë këtyre viteve është koha të investoj në aspekte të jetës sime që i kam lënë pas dore dhe të eksploroj mundësi të reja,” shkruan ai në letrën e dorëheqjes së tij të publikuar nga zyra e kryeministrit Rishi Sunak.
Uallas, ish-kapiten i ushtrisë britanike, u emërua në postin e ministrit të Mbrojtjes në vitin 2019 nga ish-kryeministri Boris Xhonson (Johnson).
Nga ana tjetër, pasardhësi Shaps, i cili së fundmi shërbeu si Sekretar për Sigurinë Energjetike, ka shërbyer si Sekretar i Brendshëm, Sekretar Biznesi, Transporti dhe kryetar i Partisë Konservatore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




