Beogradi s’do të lejojë festivalin “Mirëdita, dobar dan!”, por organizatorët s’ndalen

Kosovë | 2 vite më parë

Kryebashkiaku i Beogradit është shprehur kundër mbajtjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, i cili promovon bashkëpunimin dhe dialogun mes shqiptarëve e serbëve që nga viti 2014.

Aleksandar Shapiq (o. Sapic) deklaroi kundërshtimin e tij me arsyen se “vite më parë festivali falsifikoi dhe ndryshoi historinë duke promovuar trashëgiminë kulturore të Kosovës e duke përjashtuar atë serbe, që vë në pikëpyetje integritetin territorial të vendit”.

“Ne, si administratë e qytetit, nuk kemi mundësi ligjore t’i ndalojmë, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë asgjë që ka të bëjë me qytetin e Beogradit që të jetë në shërbim të tyre,” tha ai.

Festivali sivjet do të organizohet në data 27–29 qershor, ndërsa 28 Qershori është festa e Shën Vidit (Vidovdani, Beteja e Kosovës) për vendasit.

“Festivali nuk ngacmon, ofendon ose rrezikon festat në Serbi. Është shqetësuese që përfaqësuesit e institucioneve publikisht promovojnë idenë për të mos pasur dialog. Deklarata të tilla shkojnë përkundër rrugës europiane të Serbisë, që sipas përfaqësuesve më të lartë, është një zotim strategjik i shtetit,” reagoi Sofia Todoroviq (o. Todorovic), drejtuesja e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi, njëkohësisht organizatore e aktivitetit.

Edicioni i 10-të i “Mirëdita, dobar dan” u organizua tetorin e kaluar në Prishtinë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Fondit për Ballkanin Perëndimor dhe Ministrisë së Kulturës të Kosovës. /SE, Kallxo

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme