Berat, kthim në identitet për urën e Vokopolës

Ura e Vokopolës, monument kulture i kategorisë së parë në Berat, është kthyer në identitet pas punimeve restauruese. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat bën të ditur se “punimet u përqendruan në heqjen e betonit mbi kalldrëm, restaurimin e kalldrëmit me gurë lumi, konsolidimi i muraturës së harkut të madh, pastrimi nga bimësia, etj”.
Projekti për restaurimin e urës së Vokopolës u hartua dhe u financua nga DRTK Berat dhe Ministria e Kulturës. Kjo urë, e cila lidh fshatin Vokopolë me atë të Tërpanit, përbëhet nga harku kryesor dhe nga dy harqe më të vegjël bregorë anash. Monumenti futet në tipin e urave me një qemer dhe me një dritare shkarkuese.
Ura është me kurriz të theksuar në kyç, gjë që i jep një pjerrësi të madhe kalldrëmit nga të dyja anët. Nga ana e majtë e urës ndodhet një mbishkrim, i cili për arsye të dëmtimit nga koha është i padeshifrueshëm.
Kjo urë mendohet të jetë ndërtuar rreth viteve 1750, gjatë kohës së Kurt Pashës së Beratit dhe ka shërbyer si pikë e rëndësishme në lidhjen e luginës së Osumit me luginën e Vjosës.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




