Berisha akuza Manastirliut: Jep dorëheqjen, bëre tendera sekretë gjatë pandemisë! Ministrja: Hipokrit, gëzon për vdekjet

Pandemia e COVID-19 është bërë shkak për të nxjerrë lum akuzash mes Sali Berishës, kreu i PD i zgjedhur nga procesi i zhvilluar nga Rithemelimi, dhe ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Teksa Berisha e akuzoi ministren për zhvillimin e tenderave sekret gjatë pandemisë dhe se ‘kapardiset si modele me çanta të shtrenjta’, nuk ka munguar as reagimi i Manastirliut, e cila tha se ‘damka e non gratas është i vetmi që gëzon mbi vdekjet’.
“Qesh kjo mbrapa, edhe pse vendi ka regjistruar 20 mijë viktima. Nuk qeshet zonjë, ti duhet të kishe dhënë dorëheqjen pesë herë, dhe duhet të kishe shkuar aty ku e ke vendin, te Dumani. Ke bërë tendera sekretë në kulmin e pandemisë. Mos më ndërhy të lutem shumë. Mund të kthehem mjaft mirë unë se fjalorin e kam. Unë kam respekt për njeriun, por nuk mund të respektoj unë kur shoh ministre me çantë me zafire dhe diamante. Unë respektoj ministre që shërbejnë, përulem para tyre. Nuk mund të respektoj ministre që kapardisen si modele”, tha Berisha.
Përgjigja me tone të ashpra nuk ka munguar as nga ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu e cila e cilësoi Berishën si hipokrit që gëzon mbi vdekjen dhe se në kohën kur qeveriste Berisha spitale u kthyen në “kioska ku shiteshin pizhame”.
“Çfarë hipokrizie, po mbytesh në burgun e hipokrizisë tënde dhe më vjen keq por kur flet ti për shëndetësinë që për 8 vite nuk bërë një qendër shëndetësore nuk bleve një ambulancë ti i bëre spitalet kioska ku shiteshin pizhame. Je me damkë, damkën e ‘non gratas’. Jemi duke punuar dyfish, s’do ishim duke bërë ato që nuk bëre ti. A ka më të madh hipokrit sepse të gëzosh për vdekjen, vetëm ti mund ta bësh se ty s’të bën përshtypje vdekje, si s’të kanë bërë përshtypje vdekjet e të pafajshmëve në Gërdec, s’të shkon të flasësh për hipokrizi për aq më pak sesi u menaxhua pandemia. E vërteta tregon se Shqipëria e ka përballuar pandeminë me dinjitet duke i siguruar gjithë mbështetjen stafeve mjekësore dhe garancinë për qytetarët shqiptarë që u vaksinuan kur vendet e tjera të rajonit nuk patën vaksina”, tha Manastirliu.
Debatit i është shtuar edhe zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili tha se ata që ka vrarë Berisha direk dhe indirekt janë më shumë se viktimat nga tërmeti dhe pandemia.
“Pse e katandisët veten kështu mor burrë, pse e katandisët veten këtu që vjen një njeri… njeriu që po t’i numëroni ato që janë varë direkt dhe indirekt bëjnë me shumë se ca ka marrë Zoti dhe pandemia. 3 mijë kanë humb jetën vetëm në ‘97, shto e shto gjatë viteve dhe iu vjen keq kur iu them pse jeni katandis kështu”, tha Ahmetaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




