Berisha: Avokati im ka dorëzuar padinë për shpifje ndaj Blinkenit! Do të hyj në parlament!

Politikë | 5 vite më parë

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi të enjten në mesditë në një konferencë për shtyp, se avokati i tij ka dorëzuar në Gjykatën Korreksionale të Parisit padinë kundër vendimit të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, për ta shpallur atë dhe familjen e tij “Të padëshirueshëm” në SHBA.
“Jean-Yves Le Borgn ka dorëzuar padinë dhe ju do merrni dëshminë e dorëzimin e këtij padie” tha zoti Berisha.
Sipas tij “Kjo padi bazohet në precedentë të mëparshëm të ngjashëm dhe në parimin universal se nuk ka mburojë nga imuniteti për rastin e shpifjes. Padia bazohet edhe te parimi se shpifja në internet dënohet kudo ku del lajmi” tha ai.
Ish kryeministri shqiptar i bëri thirrje Sekretarit Blinken, “që në emër të transparencës të dërgojë pranë kësaj gjykate, çdo fakt, provë apo dokument kundër meje apo familjarëve të mi”.
Zoti Berisha tha se “Kjo është hera e parë në jetën time që i drejtohem një gjykate. Kurrë nuk e kisha menduar se do të ngrija padi ndaj Sekretarit të Shtetit të një vendi që e admiroj kaq shumë.
Unë dua të mbroj dinjitetin tim, të familjes dhe të gjithë shqiptarëve që i kam përfaqësuar. Kjo padi është një betejë për dinjitetin njerëzor.
Me këtë padi kërkoj transparencë të plotë përpara shqiptarëve dhe miqve të mi të shumtë në Shqipëri dhe botë dhe të provoj se është një vendim pa asnjë bazë.
Karakterin politik të këtij vendimi e provon fakti se pavarësisht çdo kërkese për të bërë publike faktet dhe provat, nuk është paraqitur asnjë e tillë, për shkakun e vetëm se asnjë e tillë nuk ekziston” tha zoti Berisha në deklaratën e tij. 
Edhe njëherë ai ka sulmuar sërish ambasadoren amerikane Yuri Kim. “Pasi përshëndeti masakrën zgjedhore, tani kërkon t’i diktojë këtij vendi se kush duhet të futet në Parlament. Ambasadorja Yuri Kim ka përdorur kërcënime me dogmën e barit që ka përdorur dikur Enver Hoxha dhe duke e përdorur sot albanofobët” tha Berisha. “Ajo po sillet si guvernatore” u shpreh ai. 
Berisha hodhi tej çdo dyshim se mund të largohej nga parlamenti. “Unë do të hyj në parlament!” tha ai. Berisha i kërkoi PD që të mos angazhohej në këtë çështje.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme