Berisha: Basha dhe Rama t’i vënë gishtin kokës, Kuvendi Kombëtar do mblidhet në 11 dhjetor

Pavarësisht vendimit të kryetarit të PD, Lulzim Basha, për mbledhjen e Kuvendit më 18 dhjetor, Sali Berisha ka theksuar edhe njëherë sot vendimin e tij për mbledhjen më 11 dhjetor. Duke e quajtur Bashën peng të Ramës, Berisha e thirri edhe atë të marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit, teksa tha se 11 dhjetori do të jetë vetëm fillimi. Lëvizjen e tij, Berisha e konsideron ‘revolucion paqësor’.
“Idealet e demokratëve nuk mund t’i mposhtë askush. Pengkryetarit nuk kam më një mesazh të veçantë sepse ai komandohet nga pengmarrësi, por i them me 11 dhjetor je i ftuar të vish në Kuvendin e Partisë Demokratike. Natyrisht ky Kuvend ka meritën historike, jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta në Evropë apo më gjerë, nuk e thërret përfaqësia, por anëtarësia. E thirri anëtarësia sepse nuk deshi ta thërrasë kryesia. E njoftoj peng-Bashën se data 11 është vetëm data e fillimit të Kuvendit. Kuvendi vazhdon veprimtarinë deri me rivendosjen e plotë të pluralizmit politik në Shqipëri. Mos mendo Edvin se duke vjedh data do mund t’i dalësh përpara këtij Kuvendi. T’i keni të qarta gjërat, ky është revolucion paqësorë, por askush nuk mund të luaj me të”, tha Berisha.
Zoti Berisha ka pasur një mesash për Lulzim Bashën dhe Edi Ramën, sipas së cilit, të dy janë të dy bashkë kundër PD-së.
“Qëllimi makabër politik i pengmarrësit dhe pengut është që t’ia vjedhin Kuvendit rendin e ditës, i vini gishtin kokës, se ata që kanë vënë firmën aty, se ata që kanë firmosur, nuk do pranojnë kurrë që asnjë në botë të ndryshojnë edhe një gërmë nga axhenda që kanë firmosur. Ju keni frikë dhe tmerr se u keni shumë borxhe qytetarëve, u keni bërë kaq të liga sa keni humbur dhe arsyen, ndaj dhe vazhdoni ju marrëveshjen dhe bashkëpunimin, por Kuvendi Kombëtar i Demokratëve që e mbledhim për herë të parë me firmat e anëtarësisë në mënyrë të pandalshme do të shndërrojë PD në forcën vigane e të pamposhtur të pluralizmit, emrat e atyre që firmosën do të skaliten që përmbysën narkoshtetin.”, tha Berisha.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




