Berisha: Bashkimi i forcave opozitare dhe shoqërisë civile, e vetmja rrugë për t’u përballur me Ramën

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, ka bërë sërish thirrje këtë të mërkurë për t’u ngritur kundër kryeministrit Edi Rama.
Në një takim me përfaqësues të shoqërisë civile, Berisha ka bërë thirrje për bashkim të frontit opozitar, si e vetmja mënyrë për të “mposhtur regjimin e Ramës”.
Ai akuzoi qeverinë si të korruptuar, teksa tha se ka kapur çdo pushtet, duke mos respektuar asnjë rregull.
“Ndaj këtij regjimi duhet një front se ky regjim është i pasur, para të pafundme, secili prej jush di raste dhe unë di kur eksponentë të tij kalojnë nga një banesë apo zyrë nga një tjetër me qese parash duke blerë njerëz, duke blerë gjykatës, zyrtarë, prokurorë dhe opozitarë jashtë çdo imagjinate. Regjimi nuk respekton asnjë rregull. E tha bukur një avokat, është inkuizicion nga polici te Prokurori, nga prokurori te gjykata dhe te burgu. Shanset e pafajësisë këtu janë drejt zero se nuk ka rëndësi ke kryer apo jo vepër penale, rëndësi ka që të ndalojë policia, ndaj dhe unë rrugë të vetme dhe të sigurte për t’u përballur me këtë regjim shoh bashkimin e të gjitha forcave opozitare së bashku me shoqërinë civile. Dhe hartimin e një harte veprimesh, me të cilat ne kam bindjen më të thellë se do ta fitojmë betejën. Ky vërtet është një regjim i pasur, por është i kalbur, sepse është i ndërtuar mbi lidhjet e krimit, abuzimin e shkelmimin e ligjit dhe regjime të tilla rezistojnë shumë vështirë”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




