Berisha: Do ta largojmë Ramën! Duhet vendosmëri, revolucioni nuk kryhet me një ditë

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i Partisë Demokratike, zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha ka vijuar edhe këtë të shtunë, akuzat kundrejt kryeministrit Edi Rama. Në grupimin e Konventës Kombëtare “Dhjetor ‘90”, për zgjedhjen e Kryetarit dhe Kryesisë, Berisha  u ndal sërish tek çështja McGonigal, ku sipas tij është një skandal shumë i gjerë që nuk përfshin vetëm kryeministrin Edi Rama por janë të implikuar edhe të tjerë.

Berisha ftoi anëtarët e këtij grupimi, që ashtu si në vitin ’90-të, të jenë pjesë e revolucionit paqësor për të larguar nga pushteti ata që ai i quan pinjollet e diktaturës.  Sipas, Berishës, ky revolucion nuk është vetëm mision i Partisë Demokratike por e çdo qytetari shqiptar.

“Shqipëria po tretet, Shqipëria po shuhet, Shqipëria po vdes. Nëse një kombi i ikin në 8 vite 937 mijë vetëm në hapësirën evropiane dhe mbi 1 milion në botë, ku është e ardhmja e tij?Kush do qëndrojë? Ata që nuk ka kush t’i varrosë.Këto janë sirena të tmerrshme alarmi. Pse ta lëmë këtë vend të vdesë në këtë mënyrë? Më kujtohet në vitin 1991 në parlament, ngrihet një ish-sekretar i Komitetit Qendror dhe thotë se: nuk më shkonte mendja kurrë që Enver Hoxha kishte tre dynymë qilima në shtëpi. A mundemi ne të pajtohemi me këtë situatë? A mundet shqiptarët të pajtohen me këtë situatë? Revolucioni nuk kryhet me një ditë. Partia humbi nervin, po nervi janë idealet.
Çfarë ndodhi me ne? Opozitë për të tretën herë pasi shpallëm masakër zgjedhore se ishin zgjedhjet më të këqija në vend, shkuam si dele dhe votuam borxhin e Edi Ramës në parlament. Po kishte gjë më të turpshme? Ia votuam borxhin atij që vjedh çdo qindarkë nga ai borxh.
Pra, është e domosdoshme, kërkohet një rimendim i thellë i situatës, kërkohet një vendosmëri dhe një besim për ta larguar këtë regjim”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme