Berisha: Integriteti i prokurimeve publike ka rënë me 14 pikë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në një konferencë për media se integriteti i prokurimeve publike në Shqipëri ka rënë me 14 pikë që nga periudha kur PD ishte në pushtet.
“Rama mashtroi hapur. Integriteti i prokurimeve publike ka rënë me 14 pikë që kur ne ishim në pushtet! Qeveria jonë mori çmim të dytë në botë nga OKB për transparencë në prokurime”, tha Berisha.
Kreu i PD shtoi se pretendimet e kryeministrit për përmirësime në sistemin e prokurimeve janë të pavërteta.
“Njeriu që në çdo fjali nxjerr një gënjeshtër është bërë barsoletë e vërtetë në Shqipëri, në Evropë dhe më gjerë”, u shpreh Berisha, duke i referuar shifrat dhe statistikat që, sipas tij, tregojnë të kundërtën.
Sipas tij, në vitet 2010-2012, integriteti i prokurimeve publike vlerësohej me 80%. Megjithatë, sipas Berishës, pas kësaj periudhe sistemi ka njohur një përkeqësim progresiv: integriteti ra në mesatare 70% dhe në vitin 2026 është vetëm 66%, duke shënuar një rënie dramatike prej 14 pikësh.
“Teknologjia e vitit 2026 është më e avancuar dhe lejon mundësi më të mëdha për transparencë. Përkundrazi, sistemi nuk njohu përmirësim, por përkeqësim progresiv”, theksoi Berisha, duke paralajmëruar se shkaqet do të shqyrtohen më tej.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




