Berisha: Kavaja shënoi kryengritjen e parë paqësore antikomuniste në Shqipëri

Politikë | 4 vite më parë

PD ka festuar të enjten 32 vjetorin e krijimit të PD në Kavajë, një bastionet më të fuqishme të së djathtës në Shqipëri. 

Kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë një takimi me qytetarë të Kavajës tha se “festimi i 32-vjetorit të themelimit të PD-së në Kavajë, degës së PD-së më të fuqishme, më aktive dhe me rol më përcaktues në betejat dhe fitoret e kësaj partie, është me rëndësi të madhe”.

Zoti Berisha figura kryesore e PD dhe të djathtës shqiptare pas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri kujtoi se “Viti 1990 ishte shumë i mundimshëm për shqiptarët”.

Sipas tij, pas lëvizjeve të para të Janarit, 25-26 Marsi, do të shënonte kryengritjen e parë paqësore antikomuniste në Shqipëri, pas kryengritjes së armatosur të Postribës. Do të shënonte përballjen më të fuqishme në stadiumin, rrugët e këtij qyteti, do të shënonte triumfin e guximit, trimërisë, vendosmërisë, burrave dhe grave, djemve e vajzave të Kavajës.

“Studentët me 8 dhjetor, të gjitha sloganet i kishin të gatshme nga lëvizja antikomuniste e Kavajës. Pas themelimit të PD-së, PD-ja e Kavajës e themeluar këtu nga një grup punonjësish, intelektualësh, do të shndërrohej në pazmoren, bastionin, mburojën e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Kavaja në çdo rrethanë u shndërrua në tmerrin e regjimit të Tiranës” tha zoti Berisha.

Berisha vuri në dukje se, ka pasur momente të vështira, momente kur regjimi shpalosi të gjithë egërsinë e tij në Tiranë.

“Po ata dështuan dhe ne së bashku me demokratët e Kavajës dhe gjithë Shqipërisë, përmbysëm me një revolucion paqësor, diktaturën më të egër, dhe nisëm rrugën e demokracisë, hapjes së vendit dhe interesit kombëtar” kujtoi kreu i PD Sali Berisha.

 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme