Berisha: Kryeministri, përgjegjës për largimin e shqiptarëve në Britani, Rama: Llum, politikan pa dinjitet

Kryetari i Partisë Demokratike, zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si fajtor i dramës njerëzore shqiptare në kanalin e La Manshit. Për Berishën, lidhja e kryeministrit me korrupsionin, vjedhjet nga afera qindra milionëshe, rrëmbimi i votës, detyron të rinjtë shqiptarë të largohen pasi ndjehen të pashpresë në vendin e tyre. Sipas Berishës, Rama po e shndërron çështjen e shqiptarëve që largohen në Britani në luftë të brendshme për të fituar pikë politike.
“Denoncoj qëndrimet e Edi Ramës ndaj dramës shqiptare që luhet në kanalin e La Manshit. Autor kryesor i kësaj drame, theksoj edhe njëherë, është Edi Rama. Arkitekt kryesor i kësaj drame njerëzore është Edi Rama, janë lidhjet e tij të tmerrshme me korrupsionin, janë vjedhjet e tij nga afera qindra milionëshe, janë rrëmbimi i votës, çka i bën këta qytetarë shqiptarë të pashpresë në vendin e tyre, janë lidhjet e forta me krimin dhe drogën personalisht të Edi Ramës, Olsi Ramës dhe qeveritarëve të tjerë të vendit.
Edi Rama këto ditë është angazhuar në një beteje politike të brendshme në jetën e Britanisë së Madhe. I këshilluar nga këshilltarë që duan ta shtrojnë çështjen e shqiptarëve një luftë të brendshme për pikë politike, Edi Rama kalon nga një konferencë në tjetrën duke përdorur gjuhën e një njeriu më ordiner, gjuhë të cilën ai tregon se nuk ka minimumin e minimumit të asaj që quhet edukatë familjare apo njerëzore. Gjuhë e cila bazohet në urrejtjen dhe që për interesat e tij është gati të përdorë çdo fjalë dhe të mbajë çdo qëndrim.
Kjo që po ndodh me shqiptarët në Britaninë e Madhe, është kryekëput vepër e Edi Ramës, kjo ikje massive e shqiptarëve diktohet nga kjo qeveri që nuk ka ligj as moral. Nga kjo qeveri që vret çdo ditë, çdo orë, çdo minutë shpresën e shqiptarëve. Edi Rama duhet ta dijë mirë se eksporti i krimit është një nga aktet më të rënda që një vend mund të bëjë ndaj fqinjëve të tij dhe vendeve të tjera. Dhe se lufta kundër krimit të organizuar është një nga detyrimet absolute më madhore të sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha Berisha.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama kundrejt akuzave të Sali Berishës i cili bën fajtor kryeministrin për largimin e shqiptarëve drejt Britanisë si edhe akuzoi Shqipërinë për eksport të krimit. Në një reagim në Twitter, duke ju drejtuar Berishën, Rama shkruan se politikanët që s’kanë asnjë dinjitet me të huajt dhe që luftën politike e eksportojnë në mediat e huaja, janë një llum ku jo besimi po as vështrimi nuk duhet hedhur.
“Çfarë shqiptari je kur ia beson votën dhe përfaqësimin tënd dikujt që sulmon Shqipërinë në gjuhë të huaj? Politikanët që s’kanë asnjë dinjitet me të huajt dhe që luftën politike e eksportojnë në mediat e huaja, janë një llum ku jo besimi po as vështrimi nuk duhet hedhur”, ka shkruar Rama në Twitter.

Berisha ka përsëritur mbështetjen për pedagogët dhe kërkesat e tyre për rritje rroge. Në një dalje për mediat, Berisha vlerëson betejën dhe vendosshmërinë që kanë treguar deri tani pedagogët, ndërsa thekson se Partia Demokratike do të mbështesë totalisht çdo hap dhe vendim të sindikatës se pedagogëve dhe çdo organizate që kërkon të drejtat e veta.
“Përshëndes Sindikatën e Universiteteve të vendit, për betejën e tyre, vendosmërinë, mbrojtjen që kjo sindikatë u bëri dhe u bën interesave jetike të pedagogëve, punonjësve dhe studentëve të universiteteve tona, por edhe interesave jetike të shoqërisë shqiptare dhe kombit shqiptar. Kjo sindikatë, në interesin më të mirë të kësaj beteje, ka vendosur të ndërpresë thirrjet për bojkot, por të vazhdojë luftën dhe betejën. E garantoj se në çdo hap të saj, ajo dhe cilado organizatë apo individ që mbron një kauzë të drejtë, do ketë mbështetjen totale të PD-së”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



