Berisha: Me dënimin e Salianjit, iu shpall luftë opozitës

Pas dënimit me një vit burg ndaj deputetit Ervin Salianji, ka reaguar edhe kreu i PD-së Sali Berisha. Duke folur nga dritarja e banesës së tij, ku vetë gjendet në arrest shtëpie, Berisha ka theksuar para demokratëve protestues në rrugën “Mustafa Matohiti” se vendimi i sotëm është një shpallje lufte ndaj opozitës.
“Deputeti Ervin Salianji, të cilin sot Edi Rama, Geron Xhafa, Fatzi Xhafa, e dënuan me një vit burg, sepse guxoi të përballej dhëmbë për dhëmbë, pa u tutur, me guxim qytetar, me krimin, me klanin më të fuqishëm të drogës së Vlorës, Geron dhe Fatmir Xhafën.
Sot, Geron Xhafa, ky trafikant ndërkombëtar droge, i dënuar në Itali, në gjykim në Venezuelë, feston fitoren e tij mbi denoncuesin publik, deputetin e opozitës, Ervion Salianji. Ervin Salianji sot u dënua në një akt shpallje luftë opozitës shqiptare, nga Edi Rama, me akuzën kallëzim i rremë”, është shprehur Berisha.
Sipas Berishës, ky është rasti i parë në historinë e botërore që një kallëzim i vërtetë shpallet kallëzim i rremë.
“Është rasti i parë në historinë e botës, që një kallëzim i vërtetë shpallet kallëzim i rremë. Ervin Saliani u arrestua sot sepse provoi me zë dhe dokumente se Geron, ky baron droge, ky kriminel i pashpirt, drejtonte trafiqet nga Porti i Vlorës, ndërkohë kur kërkohej për të bërë burgun, dënimin në Itali, për krimin që kishte kryer në këtë vend. Dënimi i sotëm, goditja e radhës që kreu i narkoshtetit shqiptar i bën opozitës shqiptare”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




