Berisha mes protestuesve para Kuvendit: Rama po mbyll dyert e vendit drejt BE-së. Opozita do votojë për heqjen e imunitetit të Ballukut

Kreu i Sali Berisha u është bashkuar protestuesve të opozitës të mbledhur para ambienteve të Kuvendit, ku sot pritet të diskutohet çështja e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Berisha përshëndeti protestuesit në hyrje të Kuvendit, para se të hynte në seancën plenare, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se me veprimet e tij dhe, sipas tij, me shkeljen e ligjit për të mbrojtur interesat personale, po dëmton perspektivën europiane të vendit.
“Vendimi i sotëm lidhet me një situatë dramatike që po përjeton vendi. Edi Rama është sot njeriu më i poshtëruar në detyrë në hapësirën e BE-së dhe më gjerë. Nuk ka një kryeministër më të poshtëruar para botës dhe popullit të tij, sepse po shkelmon ligjet dhe Kushtetutën për të mbrojtur interesat dhe vjedhjet e tij. Me veprimet e tij po mbyll dyert e vendit drejt BE-së,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se deputetët e opozitës do të votojnë në unison për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetes Balluku, por theksoi se sipas tij kjo nuk është zgjidhja e krizës politike.
“Sot jemi këtu për të shprehur mendimin e qytetarëve dhe do të votojmë në unison për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut, por kjo nuk është zgjidhja e krizës. Zgjidhja është largimi i Ramës,” tha Berisha.
Ndërkohë, opozita po zhvillon protestë para Kuvendit, ndërsa rreth 1500 efektivë policie janë angazhuar në terren për mbarëvajtjen e tubimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




