Berisha: Mosbindja civile në gjithë vendin. Do kemi ngujime, greva, bllokime rrugësh

Politikë | 2 vite më parë

Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka paralajmëruar se mosbindja civile që nisi me protestën e djeshme (7 tetor) do të përshkallëzohet dhe do të shtrihet në të gjithë vendin. Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se ndër veprimet e tjera të opozitës do të jenë edhe ngujimet, grevat dhe bllokimet e përkohshme të rrugëve.

Ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të pranojë kërkesën për qeveri teknike, në të kundërt “mosbindja civile do të shkërmoqë narkoshtetin”.

“Mosbindja e djeshme ishte vetëm aksioni i parë i fillimit të mosbindjes civile. Për Edi Ramën kam një thirrje, opozita ka vetëm një javë në aksion, me kaq ke humbur Parlamentin, institucionet e krimit u dogjën nga flaka e revoltës, reago sa je në kohë. Nuk kërkojmë të marrim pushtet me dhunë, por qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira, aty të shohim se kë do të zgjedhin shqiptarët. Krijo qeverinë teknike sepse javët që vijnë mosbindja civile do të çmontojë narkoshtetin tënd. Mosbindja ka shumë forma, kemi ngujime përpara, kemi greva, bllokime permanente rrugësh, kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do të shkërmoqin narkoshtetin e Edi Ramës. Nëse mendon se mosbindja civile nisi në Tiranë dhe do kufizohet aty, mendohu mirë, do kesh në mbarë Shqipërinë”, tha Berisha.

Protestuesit e djeshëm, kryedemokrati i konsideroi si “ndërgjegjja e kombit”.

“Ata mbrëmë ishin ndërgjegjja e kombit, zëri i njerëzve të heshtur, ishin ndërgjegjja e njeriut të civilizuar që kudo në botë ngrihet kundër padrejtësive, kundër tiranive. Ata dje ngjanin me Feniksin, në fakt ishin udhëheqësit, ishin prijësi, zoti i kryeqytetit, por dhe i Shqipërisë”, u shpreh Berisha.

Opozita protestoi për 3 orë ditën e djeshme, ku u hodhën molotovë te kryeministria dhe më pas në selinë e PS-së. Si pasojë u plagosën disa efektivë të policisë.

Mosbindja civile e opozitës vijoi drejt Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës dhe Parlamentit, ku sërish u hodhën flakadanë dhe lëndë piroteknike, ndërsa policia ju përgjigj me gaz lotsjellës.

Marshimi i 7 tetorit përfundoi në selinë e PD, ku sekretari i përgjithshëm i partisë, Flamur Noka, deklaroi se protesta e fundit ishte vetëm hapi i parë i mosbindjes civile.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme