Berisha: Në kohen time pagat ishin më të larta, sot varfëria është 4-fishuar! Rama i vërsulet SPAK për shkak të vëllait

Politikë | 4 vite më parë

Partia Demokratike ka nisur takimet me qytetarët dhe ekspertët “Lufta për kafshatën” ku në fokus të diskutimeve është rritja e çmimeve dhe varfëria si dhe paraqitja e propozimeve të PD për daljen nga situata.

Nga Tirana në një takim me ekspertët, kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha theksoi se fuqia blerëse ka rënë në vend për shkak të rritjes së varfërisë dhe për këtë “drejton gishtin” nga qeveria, që sipas tij e ka mendjen vetëm të rrisë çmimet dhe të largojë rininë nga vendi duke u shuar shpresën e një të ardhëm në vendin e tyre.

Për Berishën jetesa në kohen kur qeveriste ai ishte më e mirë pasi pagat ishin më të larta, por sot vendi po shkon drejt një mjerimi total.

“Është jashtë çdo dyshimi se problem themelor me të cilin përballen shqiptarët është varfërimi i frikshëm në rritje, kjo është gjëja më evidente. Këtë e tregojnë në mënyrë të pamohueshme të gjithë treguesit që masin varfërinë. Nëse në vitin 2013 ne ishim vendi me pagat më të larta në rajon sot jemi vendi me pagat më të ulta. Nëse në 2013 ne kishim 1.03% varfëri ekstreme, sot kjo është 4-fishuar. Këta janë shqiptarë që marrin më pak se 1 dollarë në ditë. Ky është mjerimi, varfëria ekstreme. Ishin 15 mijë familje, sot janë mbi 50 mijë familje. Varfëria në termin e sotëm prek 47 % të shqiptarëve. Dëshmi e kësaj rrokullisjeje janë falimentimet e bizneseve. Në këto vite kanë falimentuar 6-7 mijë biznese. Dëshmi janë borxhet e pafundme të familjeve shqiptare. Sot në Mal të Zi nafta, vendi që nuk nxjerre asnjë litër naftë është 90 lekë më lirë se në Tiranë. Kjo sepse kështu do kryeministri ynë dhe kjo dhe me vajin me djathin dhe me të gjitha. Qeveria ka një mekanizëm që t’i rrisë edhe më shumë çmimet në kundërshtim me tregun. Shqiptarët po ikin, varfëria troket masivisht në Shqipëri.  Një nga arkitekt e korrupsioni është Soros. Çfarë ndodhi në Sri Lankë, çorbë e Sorosit”, tha Berisha.  

Berisha foli edhe për komentet e Ramës ndaj SPAK, ku sipas tij kryeministri i vërsulet SPAK për shkak të të vëllait, Olsi Rama që sipas Berishës është i lidhur me skemat e Call Center-ve.

“I vërsulet me tërbim ndaj SPAK, e dini pse. Sepse është Olsi Rama i lidhur me skemat e tmerrshme të call center-ve. Është hetim ndërkombëtar ai. Dhe tani duhet të shkatërrojmë, për mua ta shkatërrojnë sepse që në fillim është ndërtuar si njësi e partisë, por beteja që i bëhet, sepse ka rrezik që hetimi ndërkombëtar të përqendrohet te Olsi Rama, bashkë me këtë Strakoshën pasi ka dhe të tjerë në këtë lojë të pistë të plaçkitjeve të tmerrshme.  Shteti nuk ekziston, institucionet nuk ekzistojnë”, tha Berisha.

Akuzat nuk i ndali sërish për Portin e Durrësit, ku për Berishën kompania nga Emiratet, shërben si mburojë e Edi Ramës. Berisha thotë se si projekti i Portit të Durrësit por edhe Skavica po jepen pa garë nga qeveria në mënyrë që të mund të mbush xhepat me milionat nga buxheti i shtetit.

“Në Shqipëri ndodh një nga vjedhjet më të tmerrshme që mund të bëhet. Vjen një kompani nga Emiratet e Bashkuara dhe shërben si mburojë e kryeministrit të vendit, për të plaçkitur më shumë se 1 mln e gjysmë katror tokë në Portin e Durrësit. Ka një emër, kullë të lartë në Dubai, por ka një mashtrim po aq të madh sa kulla, në Savë, Beograd, këtu afër nesh. Kjo është e vërteta e këtij investitori. Por nuk ka asnjë rëndësi, rëndësi ka që shërben si mburojë e Edi Ramës.  Kompani të tjera gjigante, instalohen në kushtet që duan, pa garë. Pa garë jepet Skavica, qindra milionë. Pa garë merren 760 mln buxhet”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme