Berisha: Në Samit s’dolën me deklaratë ndaj Rusisë, Rama-Vuçiç përfitojnë nga kontrabanda ruse

Ish-kryeministri Berisha ka deklaruar se në samitin e mbajtur ditën e djeshme në Tiranë për Ukrainën nuk u respektuan sanksionet e BE-së dhe NATO-s ndaj Rusisë.
Sipas Berishës, në samit nuk u dënua në mënyrën e duhur sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.
Berisha tha se nuk mund të pritej një gjë e tillë nga Rama dhe Vuçiç që sipas Berishës janë “përfitues të kontrabandës ruse dhe bllokuan deklaratën”
“Për NATO-n, për BE-në, për vendet e lira në mbarë botën, Ballkani Perëndimor në raport me agresionin barbar rus paraqiste dy probleme serioze.
Së pari, respektimin e sanksioneve të BE dhe NATO-s ndaj Rusisë.
Presidenti Zelenski jashtë çdo dyshimi priste që ky samit të dilte me zotimin për të dënuar shkeljen e sanksioneve, për të respektuar sanksionet kundër agresionit rus.
Por të gjithë ata që pritën një gjë të tillë, u zhgënjyen sepse padroni i Edi Ramës dhe argati i tij, Edi Rama, që janë të dy përfitues të kontrabandës ruse, bllokuan deklaratën.
Dhe jo vetëm që nuk u dënua fakti që Serbia është shndërruar sot më shumë se kurrë në një Rusi të vogël, 15 herë në javë fluturon linja ruse në Beograd”, u shpreh Berisha në protestën e tij të përditshme me demokratët.
Sipas Berishës, Rusia ka si synim daljen në detin Adriatik dhe prandaj kërkon një Ballkan të destabilizuar.
“Jo vetëm që nuk u tha një fjalë, por me heshtjen e plotë, Beogradi mori licencën për të vazhduar thyerjen e sanksioneve sikur ato të mos ishin, të mos përbënin një problem për NATO-n dhe BE-në.
Të dashur miq, cilido që njeh ABC-në e historisë, e di se dikur për Perandorinë Ruse, më vonë për perandorinë komuniste dhe sot për diktatorin e ri, nuk ka asnjë dyshim se dalja në Adriatik mbetet objektivi më kryesor.
Dhe në këtë kontekst, destabilizimi i Ballkanit, në këtë kontekst baza e Nishit, në këtë kontekst infiltrimi në të gjitha anët e politikës dhe jetës në Serbi të rusëve.
Por përsëri, për Putinin e vogël dhe argatin e tij në Tiranë, ndërhyrja ruse, influenca ruse nuk përbën një problem. Ndaj dhe deklarata nuk kishte asnjë fjalë”, tha më tej Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




