Berisha: Protesta e 6 dhjetorit, më e fuqishmja që kemi bërë ndonjëherë! Mikpritje ndaj liderëve të BE-së

Pavarësisht se nuk iu dha leje për organizimin e protestës më 6 dhjetor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, ka theksuar se tubimi jo vetëm që do të mbahet, por do të jetë më i madhi i organizuar ndonjëherë prej tyre.
Gjatë një takimi me banorët në njësinë 11, Berisha iu përgjigj deklaratave të maxhorancës, teksa theksoi se organizimi nuk është protestë kundër BE, por “mikpritje” ndaj liderëve të Unionit.
“Takohemi së bashku ne një moment, jashtëzakonisht të rëndësishëm për PD, opozitën shqiptare dhe Shqipërinë. Takohemi së bashku në prag të një samiti të një rëndësie të jashtëzakonshme që mbahet në Tiranë në të cilin vijnë liderët e të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që vijnë në këtë samit. Njëri prej tyre, duhet të themi të vërtetën është përfaqësuesi më i zi i mafias shqiptare dhe ndërkombëtare, e për fat të keq ky është përfaqësuesi i Shqipërisë, Edi Rama. Ndaj dhe ne, forcë politike e vokacionit perëndimor, forcë politike e cila integroi Shqipërinë në NATO dhe bëri hapa të jashtëzakonshëm në integrimin Europian, në datën 6 dhjetor, ditën e samitit do të jemi në protestën tonë më të fuqishme që kemi bë ndonjëherë. Protesta jonë, nuk ka asnjë shenjë proteste përveç se mikpritje ndaj liderëve të BE-së”, tha Berisha.
Sipas ish-kryeministrit, protesta do të jetë kundër kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar këtë të fundit se ka grabitur votën e shqiptarëve.
“Por duhet të jemi të vërtetë, protesta jonë ka të bëjë me një armik të vlerave evropiane në Shqipëri, i cili për fat të keq, duke grabitur votën e shqiptarëve, përfaqëson shqiptarët në atë samit dhe ky është Edi Rama. Ne dalim në atë protestë, me misionin për t’i paraqitur Europës dhe botës se aty janë të paktën 1 mijë gazetarë, të vërtetën, apo Shqipërinë reale, të vërtetat e zeza të regjimit monist të Edi Ramës. Të regjimit të Ramës, i cili duke grabitur votën e qytetarëve dhe aspak me meritë, duke shndërruar shtetin e tërë në një makineri elektorale, duke përdorur miliona narkoeuro për të blerë votën, duke përdorur banda dhe rivendosur sistemin e patronazhistëve që në segmente të caktuara ka funksionuar identik si terroristë të kuq, ai ka grabitur votat e shqiptarëve dhe ulet së bashku me liderët të zgjedhur me votën e lirë të popujve të tyre. Në këtë kontekst protesta jonë është zëri i popullit opozitar për vlerat europiane dhe kundër një armiku të vlerave Europiane në Shqipëri, që është Edi Rama”, shtoi ai.
Berisha ka paralajmëruar për protestë më 6 dhjetor, në të njëjtën ditë kur do të zhvillohet në Tiranë Samiti BE-Ballkani Perëndimor. Për pasojë, Policia nuk i dha lejen për organizimin e protestës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke i kërkuar ta mbajë tubimin në një vend tjetër, por megjithatë Berisha ka theksuar se do të vijojë me organizimin e protestës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



