Berisha: Rama emëron opozitën e tij, ndërsa 50 deputetë të opozitës përjashtohen

Kryetari i ‘Rithemelimit’ të PD-së, Sali Berisha, nga banesa e tij ku ndodhet në masën ‘arrest shtëpie’ në një komunikim me mbështetësit ka vlerësuar qëndresën, rezistencën e tyre, në atë që ai e komenton si “betejë pa kthim kundër narkodiktaturës, regjimit të bandës, krimit, korrupsionit, që çdo ditë del në pah si një regjim pa ligje, moral, si një regjim grabitqar, shkatërrimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
“Në rast se ndalemi në zhvillimet e 48 orëve të fundit, ato janë zhvillime tipike të një diktature pa ligje, pa moral, pa kushtetutë. Janë zhvillime të cilat përbëjnë një thirrje për çdo shqiptar, të ngrihemi për të marrë në duar fatin tonë dhe të vendit tonë. Shqipëria është sot delja e zezë e zgjedhjeve në Ballkan dhe Europë. Shqipëria është sot vendi ku krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim. Megjithatë ju e shihni në 48 orët e fundit, Edi Rama me peng bravën po bëjnë gjithçka për të bërë pseudoreformën me të cilën Edi Rama ëndërron të marrë mandatin e katërt në Shqipëri.”, tha Berisha.
Sipas tij, nuk ka figurë më të shëmtuar, më qesharake, por njëkohësisht edhe tragjike kur sheh se si, “Edi Rama emëron opozitën e tij dhe cakton në krye të komisionit një Gjiknur bis, me mbiemër Alibasha, për ta servirur këtë si një reformë”.
“Ndërkohë, 50 deputetë tuaj, përfaqësues të popullit opozitar përjashtohen dhe thirren të pranojnë bashkëkryetar, bashkëpunëtorin më të ngushtë të pengbravës, Alibashën. Kjo është një thirrje për çdo shqiptar që beson tek vota e lirë, që beson se duhet të votojë i lirë të ngrihet dhe të bashkohet me ne, në këtë betejë pa kthim. O sot o kurrë për votën e lirë.”, tha Berisha.
Berisha: Skapistët janë veglat e Edi Ramës
Sipas tij, në 24 orët e fundit, “Edi Rama me skapin e tij, larot e tij, vendos të tregojë para shqiptarëve se ka krijuar mekanizmin e përjashtimit nga parlamenti të çdo deputeti pavarësisht i mazhorancës apo opozitës, për të përfaqësuar në parlament qytetarët që e kanë votuar përsa kohë që ka mandatin.”
“Por ata nuk kanë ligj, nuk kanë moral, janë të korruptuar nga Edi Rama dhe organizata e tij kriminale, qeveri. Dje u paraqitën nga avoketërit prova përvëluese të cilat u dëshmonin larove të Edi Ramës, skapistëve, grupit të strukturuar kriminal se ata janë nën urdhrat e Edi Ramës, se ata janë veglat e Edi Ramës. Ata janë vegla të Edi Ramës ndaj dhe këto prova refuzuan ti merrnin njëlloj sikur të ishin reparti i sigurimit të shtetit.”, tha Berisha.
Kreu i ‘Rithemelimit’ deklaroi se me aktin e fundit, Rama u provoi shqiptarëve se Sali Berisha nuk po hetohet për korrupsion, por po hetohet se luftoi dhe lufton korrupsionin.
“Me aktin e fundit, me tmerrin që ka nga mandati i Sali Berishës, Edi Rama dëshmoi se Sali Berisha po luftohet politikisht sepse ai ka denoncuar të gjitha vjedhjet personale, familjare, qeveritare të Edi Ramës dhe larove të tij. Me aktin e fundit, Edi Rama faktoi se Sali Berisha nuk po hetohet për korrupsion, por për antikorrupsionin e tij, sepse ai denoncoi para shqiptarëve dhe botës, tradhëtinë e tij kombëtare ndaj Kosovës. Denoncoi projektet e tij të përbashkëta me Aleksandër Vuçiç. Denoncoi Jugosllavinë e re, Ballkanin e Hapur. Denoncoi çdo akt të tij, me të cilin përpiqej që hegjemonia serbe dhe influenca ruse të mbizotëronte në rajon dhe Shqipëri.”, tha Berisha.
Ai deklaroi më tej se Edi Rama faktoi edhe njëherë se beteja e Sali Berishës nuk është me drejtësinë, “përkundrazi kjo betejë dhëmb për dhëmb është me Edi Ramën dhe drejtësinë e korruptuar, është me narkoshtetin, lidhet e tij me krimin”.
“Ndaj dhe i them Edi Ramës, se mandati im nuk u var dot as nga etërit e tu, xhelatë të shqiptarëve. Sepse kur ata bënin thirrje për tanke, ne zvarrisnim rrugëve të Tiranës, shtatoren e Enver Hoxhës, ndërsa ti ja mbathje në Zallherr nëpër bunkere për të shpëtuar lëkurën tënde. Edi Rama je i pashpresë. Sali Berisha dhe këta burra e gra, janë sot më të vendosur se kurrë të të japin përgjigjen që meriton.”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




