Berisha: Rama mban peng vulën e PD në gjykatë! Do mbrojmë interesat e qytetarëve

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, akuzoi Kryeministrin Rama se po mban peng regjistrimin çështjen e PD për vulën në Apel. Sipas Berishës, kreu i qeverisë i frikësohet votës së qytetarëve më 14 Maj, në zgjedhjet vendore.

“Por çfarë ka ndodhur në Shqipëri? Edi Rama është ai që ndalon regjistrimin e aktit të gjykatës në regjistrin e partive politike, në një akt antidemokratik dhe diktatorial.

Është vetëm Edi Rama që ai nuk lejon me një kancelar, me një sekretare, që ka detyrë absolutisht ligjore, të çojë aktin në regjistër. Kjo është e vërteta. Pra, nuk është problem gjykate, është problem Edi Rame.

Është problem i atij, që ka ndaj pluralizmit politik të njëjtat armiqësore si i ati i tij, i cili si xhelat, firmoste në gusht të vitit 1988, varjen në litar të poetit që shprehej për të drejtat e njeriut. Pra, kemi të bëjmë me një urdhër stalinist të Edi Ramës, që nuk do që kjo parti të regjistrohet. E them këtë se konstatoj konfuzion në media. Por media dhe qytetarët duhet t’i përmbahen të vërtetës. Po kaq i shëmtuar bëhet akti i bashkëngjitjes për palë të atyre që kurrë nuk ishin palë. Të keqpërdorur nga Edi Rama.  Në çdo proces gjyqësor, palë janë ato që paraqesin pretendime në sallën e gjyqit. Në rastin e PD, çdo qytetar që kishte dyshimin më të vogël për këtë vendim gjykate, ka të drejtë të hapë proces gjyqësor, por kurrë të bëhet palë. Palë në atë vendim jemi vetëm ne, dhe ne kemi të drejtë të apelojmë. Por askush tjetër mbi tokë, përveçse në drejtësinë e Edi Ramës.

Përdor një të keqpërdorur, një të keqshfrytëzuar në shkallën ekstreme, në mënyrën më të pamëshirë, duke shkelmuar mbi të, dhe e urdhëron të bëhet palë. Se në këtë mënyrë mund të prishet çdo proces gjyqësor në tokë. Kjo parti e ka me gjykatë, gjykata e ka gjetur të vlefshme statutin dhe ka urdhëruar regjistrimin. Rama se lejon. Në mënyrë po kaq armiqësore, duke u shërbyer po nga të njëjtëjt njerëz me grupin parlamentar, i sheh se kohërat i ka të numëruara, se vjedhjet po i kthehen në bumerang. E sheh se s’ka shpëtim nga një shtet ligjor për aferat e butrintit, djegësta, afera e portit të Durrësit”, tha Berisha.

Kreu demokrat vuri theksin te vendosmëria e PD për të bërë gjithçka për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë. Berisha deklaroi se zhvillimet brenda selisë blu, kanë tronditur Ramën.

“Në këtë platformë do vazhdojmë edhe me këshilltarët, me parlamentarët, e vërteta është se kjo e ka tmerruar Edi Ramën. Këto zhvillime brenda PD, atë e kanë tronditur deri në palcë, pasi e sheh që betejën e ka të humbur. Ky tmerr ka bërë që ai të humbasë jo vetëm mendjen, logjikën, arsyen, por edhe të vazhdojë me flamurin e zi të një krimineli elektoral. Të dalë haptas me platformat e plaçkitjes së votës, e dhunimit para ekzekutimit paraprak. Të tregojë se është i aftë të bëjë gjithçka për të grabitur votat e qytetarëve shqiptarë. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme