Berisha: Rozeta Dobit iu dhanë paratë e vjedhura nga inceneratorët për t’i ruajtur, u kërcënua nga qeveria për të mbyllur gojën

Kreu i PD i zgjedhur nga Rithemelimi, Sali Berisha ka folur për arrestimin e pastrueses, e cila vodhi 120 mijë euro nga shtëpia e ish zyrtares së kabinetit të Ahmetaj. Berisha tha se Rozeta Dodit iu dhanë paratë për t’i ruajtur, por pasi u zbuluan ka marrë kërcënime nga qeveria për të mbyllur gojën.
“Janë bërë me dhjetëra kronika, me dhjetëra raportime, por një enigmë ku qëndron edhe çelësi i të vërtetës, nuk është trajtuar në dimensionin e duhur. Nuk është trajtuar raporti Rozeta-kasaforta. Sipas të gjitha të dhënave, Alda Klosi ose i mbante paratë në dyshek dhe flinte, se maniakët e parave, ndjehen komfort kur flenë në dyshekë të mbushur me parë, ose ajo i dha kodin e kasafortës. Ia dha në roje. Ia dha në mirëbesim.
Pra, këtu qëndron edhe rebusi. Ndërkohë, Rozeta Dobi ka marrë kërcënime nga më të mëdhatë. Qeveria ka bërë çdo përpjekje për t’i mbyllur gojën asaj. Gjithçka është bërë dhe ajo realisht e kërcënuar shumë. Thirrja ime është që ajo të shpallet e penduar e drejtësisë. Çka nuk ndodh. Se kjo e lemerit Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn”, tha Berisha.
Berisha tha se paratë e gjetura janë të vjedhura nga inceneratorët dhe se Arben Ahmetaj duhet të shkojë në burg.
“Rozeta, hajdute apo thjesht iu dhanë ato para, për t’i mbajtur në mirëbesim.Po të marrim variantin e kasafortës, kodin asaj nuk ia ka dhënë asnjë njeri përveç Alda Klosit.Magjistare e bëni ju Rozetën, që të dijë të zbërthejë kasafortat? Magjistare nuk ishte ajo, ishte pastruese.Nëse është histori e eurove në dyshek, përsëri është bashkëpunim mes Aldës dhe Rozetës.Pse ndodhi ky bashkëpunim? Arben Ahmetaj është kandidat për në kokërr të burgut. Pas Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit. Natyrisht, në universin e interceptimeve telefonike të tij, Alda dilte në radar.Pra, pse unë u ndala në këto? U ndala sepse qeveria po bën gjithçka për të mashtruar qytetarët në këtë hetim.Se shifra 120 mijë u caktua nga qeveria për t’u thënë nga Alda. Kurse shuma e madhe në tubat e aspiratorit u zbulua rastësisht. Ato të gjitha janë paratë e Aldës, të Arben Ahmetajt, të Edi Ramës.
Ato janë paratë e djegësave. Edi Rama e ka shkarkuar atë vetëm pesë ditë, më datë 20, në mënyrë që ajo të mos largohej nga detyra si zyrtare e lartë. Por, edhe njëherë, Rozeta ose duhet mbrojtur, ose duhet lënë e lirë. Paratë ajo i ka marrë në mirëbesim, siç del. Cili është ai që mund të thotë se Rozeta gjeti kodin? Nuk ka njeri që e beson këtë. Nëse do kishte marrë një specialist për dekodimin, gjurmët do ishin aty, kamerat do tregonin gjithçka.
A ka një gjë të tillë? Nuk ka një gjë të tillë. Pra kemi të bëjmë një bashkëpunim mes Aldës dhe Rozetës për të larguar paratë nga shtëpia e Aldës. Qoftë me kasafortë, qoftë me dyshek. Fytyra e vërtetë e qeverisë është Alda, që vjen në Tiranë me një apartament 40 metër dhe përfundon me shtatë apartamente, troje, llogari. Kushedi sa ka në Dubai ka ajo nga kontot e Arben Ahmetajt”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




