Berisha thirrje Ramës: Hiq dorë nga amnistia fiskale, mos guxo të provokosh partnerët

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të heqë dorë nga amnistia fiskale. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se kundër këtij projektligji janë shprehur kundër Komisioni Evropian dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, teksa i bën thirrje Ramës që “të mos guxojë të provokojë partnerët”.

“Unë, jam sot këtu gjithashtu për t’i kërkuar Edi Ramës, publikisht që në përgjigje të këtij vendimi fisnik të vendeve anëtare dhe Komisionit Europian, të mos guxojë të provokojë partnerët tanë por të deklarojë menjëherë se, ai heq dorë përfundimisht nga ligji i aministisë fiskale, kundër të cilit është shprehur haptas Komisioni Europian; janë shprehur qartë dhe vende anëtare të BE, qoftë dhe me karriget bosh në takimin e tij të fundit; janë shprehur kundër edhe partnerët tanë jashtë BE-së; janë shprehur kundër Dhomat e Biznesit të SHBA, Gjermanisë, Francës, Turqisë dhe dhomat e biznesit shqiptar”, tha Berisha.

Sipas Berishës, ky projektligj dëshmon lidhjet e “regjimit të Ramës me organizatat kriminale brenda e jashtë vendit”. Ai zotohet se kur PD të vijë në pushtet, do ta invalidojë amnistinë fiskale.

“Nga ana tjetër, unë iu bëj thirrje qeverive të vendeve anëtare dhe Komisionit Europian të insistojnë gjer në fund kundër miratimit të këtij ligji, që dëshmon lidhjet e tmerrshme të regjimit të Edi Ramës me organizatat kriminale brenda dhe jashtë vendit. Përndryshe, PD angazhohet para partnerëve tanë se, me të ardhur në pushtet ajo do të invalidojë aministinë fiskale e kriminale të Edi Ramës dhe do të vendosë para ligjit të gjithë personat që kanë përfituar nga kjo amnisti, duke u kërkuar origjinën e të ardhurave. Emrat e këtyre personave do t’u jepen një për një, po ashtu organeve fiskale e të drejtësisë së vendeve perëndimore që të përndiqen dhe atje nëse kanë eventualisht vendqëndrime në BE apo Britaninë e Madhe, SHBA, Kanada, etj. Si përfundim, edhe njëherë i shpreh mirënjohje BE së për hapjen e negocjatave, turp bukashkalit Edi Rama nëse ai nuk tërhiqet nga legalizimi i parave që mafia shqiptare ka grumbulluar kriminalisht jashtë dhe brenda vendit”, theksoi Berisha.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme