Berisha tryezë me mjekët: Problem largimi masiv i bluzave të bardha dhe pagat

Kreu i partisë demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e kësaj të marte një tryeze me mjekët në sistemin shëndetësor publik e privat për të diskutuar mbi shqetësimet dhe problemet që ka sot ky sistem. Mjekët referuan më shumë ndjeshmëri në këtë tryeze shqetësimin mbi largimin masiv të mjekëve dhe infermierëve, të cilët po zbrazin jo vetëm spitalet universitare dhe ato rajonale por edhe qendrat shëndetësore
Mjeku i ri Malbor Duka solli në vëmendje shifrat në rritje progresive të largimit të mjekëve nga Shqipëria duke e cilësuar këtë një problem madhor për mbulimin e popullatës më shërbime shëndetësore ndërsa mjekja kirurge Lida Shosha tha se largimi ka prekur edhe sistemin shëndetësor privat. Ajo tha se vetëm brenda një jave spitali amerikan i janë larguar 70 infermierë jashtë vendit . Shqetësimin e largimit të infermierëve e ngriti edhe mjekja nga Shkodra Irena Shestani e cila tha se në bazë të një studimi të kryer në radhët e studentëve ne departamentin ku ajo jep mësim, 90% i hyjë kësaj dege për tu larguar nga vendi.
Mjeku Gëzim Xhepa kërkoi vëmendje ndaj edukimit të mjekëve të rinj i cili gjithashtu ka marrë goditje. Ai tha se QSUT nuk po plotëson dot as nevojat për formimin e specializantëve ndërsa mjeku Fatos Kadesha vuri në vëmendje faktin se kontrolli në sistemin farmaceutik ka probleme të forta .
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e konsideroi atë çfarë po ndodh në sistemin shëndetësor një dramë pasi mjekët po përçmohen dhe nuk vlerësohen. Berisha e konsideroi reformën në shëndetësi absolute dhe për këtë kërkoi mbështetje duke u ngritur në lëvizje edhe nga radhët e mjekëve
“Po bien sirenat e një drame te madhe. Ne kemi Drame në sistemin tonë shëndetësor sepse ndaj mjekëve është mbajtur qëndrim përçmues, mos vlerësues. Reforma e këtij sistemi është përparësi absolute. Ne duhet të ngrihemi. Duhet t’i shndërrojmë spitalet tona në qendra të një lëvizje të fuqishme për të sjellë ndryshimin”, tha Berisha.
Mjekët pjesëmarrës në këtë tryezë sollën fakte të problemeve dhe shqetësimeve nga jeta e tyre e përditshme në punë duke kërkuar zgjidhje për to me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




