Besimtarët ortodoksë festojnë Pashkën, uron politika

Besimtarët ortodoksë festojnë sot Pashkën, ndërsa nuk kanë munguar urimet edhe nga krerët e shtetit në këtë ditë të shënuar.
Presidenti, Bajram Begaj, ka uruar besimtarët ortodoksë, me mesazhin që kjo festë sjell rigjallërimin e jetës, gëzim e shpresë dhe shënon një nisje te re.
“Gëzuar Pashkën për të gjithë besimtarët ortodoksë! Kjo festë e shenjtë sjell rigjallërimin e jetës, gëzim e shpresë dhe shënon një nisje te re! Qoftë ajo e bekuar për të gjithë shqiptarët!”, uron Begaj në rrjetin e tij social Facebook.
Kryeministri, Edi Rama ka zgjedhur të urojë besimtarët ortodoksë përmes një fotoje nga kisha e Marmiroit në Vlorë. “Mirëmëngjes. Gëzuar Pashkët Ortodokse”, uron kryeministri Rama.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar besimtarët ortodoksë për Festën e Pashkëve. “Festa e Pashkëve na ngjit në malin e lartë të humanizmit, përkushtimit, dashurisë”, thekson në mesazhin e urimit kryeparlamentarja.
“Ringjallja e Krishtit, një dritë e hareshme që treti errësirën, largoi pikëllimin dhe lajmëroi një fillim të ri. Festa e Pashkëve zgjon ëndrrat, ndihmon besimtarët, na ndihmon të gjithëve, për të kapërcyer vështirësitë, mundur lodhjen, korrigjuar dobësitë njerëzore, larguar pesimizmin, frikën, urrejtjen dhe përqafuar besimin, kurajon, mirësinë njerëzore. Festa e Pashkëve na ngjit në malin e lartë të humanizmit, përkushtimit, dashurisë. Gëzuar Pashkët, shëndet e mbarësi për të gjithë besimtarët ortodoksë”, uron Nikolla.
Më herët, Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, uroi besimtarët ortodoksë për Pashkën e Madhe. Nëpërmjet një statusi në “Facebook”, Meta uron besimtarët për më shumë shëndet e gëzime në familjet e tyre.
Nga Kisha Orthodhokse, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi Pashkët për të gjithë besimtarët orthodhoksë. Kryebashkiaku bëri me dije se Kisha e Shën Prokopit do të rindërtohet nga e para.
“Bashkia e Tiranës sapo ka dhënë lejen për Kishën e Shën Prokopit, e cila ndodhet te kodrat e Liqenit. Në kohën e Tiranës së vjetër, ajo njihej si kodra e Shën Prokoipit, se nuk ekzistonte as liqeni, as parku që kemi atje. Gjatë kohës së komunizmit u kthye në një bar-bufe, më pas u rikthye si pronë, por kurrë në arkitekturën e një Kishe. Kisha do të ndërtohet aty siç ka qenë. Ju uroj të gjithëve Gëzuar Pashkët!, uroi Veliaj.
Pashka është një nga kremtimet më të mëdha të ortodoksëve. Ata risjellin ne vëmendje ngjarjen e madhe të ngjalljes së Jezusit të Nazaretit, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq. Festimet e Pashkës nisën me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




