Beteja për vulën e PD, përballja në Apel, palët kërkojnë mospranimin e njëra-tjetrës

Gjykata tërhiqet për vendim
Gjykata e Apelit është tërhequr për të marrë një vendim të cilësuar të ndërmjetëm, për çështjen e logos së Partisë Demokratike.
Seanca e planifikuar për sot, është mbledhur pas ankimimit që grupi i mbështetësve të Alibeajt në Partinë Demokratike, bëri ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së parë, e cila njohu si legjitim, Kuvendin e 11 dhjetorit 2021
Ora 11:40 Beteja për vulën e PD, nis përballja në Apel, palët kërkojnë mospranimin e njëra-tjetrës
Ka nisur seanca gjyqësore në Gjykatën e Apelit për vulën e Partisë Demokratike. Tre anëtarët e trupës gjykuese, kryetarja Elona Mihali dhe dy anëtarët, Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja, kanë nisur shqyrtimin ankimimin e PD ndaj vendimit nr. 3 datë 25.03.2022 me gjyqtar, Agron Zhukri, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lidhur me vulën për drejtimin dhe përfaqësimin e Partisë Demokratike.
Grupi i Alibeaj ka apeluar vendimin e gjyqtarit Agron Zhukrit, i cili në 25 mars të 2022, i dha selinë dhe vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës, duke konfirmuar Kuvendin e 11 dhjetorit, bashkë me statutin e ri të partisë dhe vendimmarrjet e tjera, të cilat shkarkonin Lulzim Bashën dhe lidershipin e tij, duke e kaluar partinë në duart e Berishës; ose rikthim të çështjes për rigjykim por me një tjetër trup gjykuese.
Seanca
Prezenca e palës së Alibeajt në sallë, përfaqësohet nga avokatët Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, ndërsa përfaqësuesi ligjor i Rithemelimit, Ivi Kaso kërkoi që të asistohet edhe nga Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia.
Sipas informacioneve të siguruara nga RTSH, përfaqësuesi ligjor Ivi Kaso, ka kërkuar që gjykata të mos e pranojë ankimimin e Alibeajt pasi nuk ka autoritet juridik.
“Gjykata te mos e pranojë padinë sepse gjykata është vënë në lëvizje nga një palë që nuk është pjesë e procesit. Gjykata të konstatojë mospranim e ankimit, pasi gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet. Sipas nesh vendimi gjyqësor që e ka lejuar ankuesin është marrë në kundërshtim të ligjit”, tha Kaso.
Sipas Kasos, Alibeaj nuk është zgjedhur asnjëherë në detyrë dhe është komanduar në detyrë përmes një deklarate nga Sekretari i Përgjithshëm i cili është shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit.
“Enkelejd Alibeaj nuk është konfirmuar asnjëherë në detyrë. Pasi nuk është mbledhur këshilli kombëtar i Partisë Demokratike për ta zgjedhur atë kryetar. Alibeaj është komanduar me detyrë përmes një deklarate nga Sekretari i Përgjithshëm i cili është shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit”, tha ai.
Ndërsa përfaqësuesi ligjor i grupimit të Alibeajt, Sefa është shprehur se pala e Rithemelimit nuk mund të të paraqesë kërkesa në këtë fazë, pasi nuk është më proceduriale. Më tej, ai u shpreh se ka një paqartësi nëse Rithemelimi është apo jo legjitim.
“Ky nuk është momenti për të bërë këto kërkesa, pasi nuk jemi në këtë fazë procedurale. Gjykata duhet ti shqyrtojë të gjitha elementët në tërësinë e saj. Komisioni i rithemelimit nuk ka autoritet juridike dhe duhet të ketë prokurë të posaçme. Ka një konfondim, a ka legjitimitet Komisioni i Rithemelimit”, u shpreh Sefa.
Vendimi
Vendimi i sotëm për PD, e cila është ndarë tanimë në dy kampe, atë të Enkelejd Alibeaj dhe Sali Berishës, do të përcaktojë përfundimisht se cili do të marrë drejtimin e selisë blu, vendim ky përcaktues edhe për zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Vendimi në lidhje me këtë çështje do t’i jepte fund konflikteve brenda PD, duke përcaktuar se kujt do t’i përkasë partia më e madhe opozitare në vend. Kujtojmë se kjo përçarje ka sjellë probleme për PD-në edhe për regjistrimin e saj në zgjedhjet lokale të 14 majit, për shkak se të dy grupimit kanë dërguar nga 1 listë me anëtarët e KZAZ-ve.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



