Betohet para Presidentit anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese Ilir Toska

Është betuar sot para Presidentit Bajram Begaj anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese Ilir Toska. Presidenti Begaj e ka vlerësuar si një zhvillim pozitiv zgjedhjen e Toskës gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese për mirëfunksionimin e këtij instoitucioni dhe përparimit të reformës në drejtësi.
“Betimi i z.Ilir Toska sot në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë është një zhvillim pozitiv në mbështetje të mirëfunksionimit të këtij institucioni kushtetues si dhe përparimit të reformës në drejtësi”, shkruan Begaj në rrjetin social Facebook.
Me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, gjyqtari Toska është betuar se gjatë kryerjes së detyrave do i qëndroj besnik Kushtetutës.
“Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”, tha Toska.
Ilir Toska është zgjedhur nga Gjykata e Lartë si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Toska u zgjodh me 13 vota nga kolegji i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, ndërsa do të zëvendësojë gjyqtarin Gani Dizdari, që u shkarkua nga procesi i vettingut. Me zgjedhjen e Toskës, Gjykata Kushtetuese është bërë me 8 anëtarë, nga 9 që duhet të ketë në total.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



