Biden vazhdon të rrisë avantazhin, Trump vë në pikëpyetje rezultatet

Kandidati demokrat Joe Biden vazhdon të rrisë avantazhin e lehtë që fitoi në orët e para të së premtes përballë presidentit republikan Donald Trump në shtetet Xhorxhia dhe Pensilvani, ku vazhdonte numërimi. Megjithëse rezultatet vazhdojnë të jenë shumë të afërta për t’u shpallur, zoti Biden gjendet në pozita të forta për të fituar zgjedhjet presidenciale amerikane.
Ekipi elektoral i Presidentit Trump është duke vënë në pikëpyetje rezultatet, duke u shprehur nëpërmjet një deklarate të premten se “zgjedhjet nuk kanë mbaruar”. Ata thanë se presidenti përfundimisht do të fitojë si rezultat i rinumërimeve të pritshme në shtetet ku gara është e ngushtë, si dhe prej sfidave ligjore të bazuara në akuza të paprovuara për vjedhje votash dhe parregullsi.
Zoti Biden aktualisht udhëheq me shumicën e votës popullore, si dhe me 253 vota elektorale përkundër 214 votave për Presidentin Trump në Kolegjin Elektoral, ku duhen të paktën 270 vota për të pretenduar fitoren për një mandat presidencial katër vjeçar.
Sipas numërimit të votave, zoti Biden kryeson në Pensilvani me 21’749 vota (me 98% të votave të numëruara), në Xhorxhia me 4’020 vota (me 99% të votave të numëruara), në Arizona me 36’816 vota (me 90% të votave të numëruara), si dhe në Nevada me 22’657 vota (me 87% të votave të numëruara).
Në sistemin amerikan të demokracisë indirekte, fituesi i votës popullore në secilin shtet – me përjashtim të shteteve Mein dhe Nebraska – merr të gjitha votat elektorale të shtetit në fjalë, të cilat përcaktohen në bazë të nivelit të popullsisë.
Përkrahës të Presidentit Donald Trump dhe rivalit demokrat Joe Biden zhvilluan demonstrata kryesisht paqësore në disa shtete ende të padeklaruara, ku vazhdon numërimi i votave.
Qindra demokratë u mblodhën të premten pranë ndërtesës së numërimit të votave në Filadelfia, të veshur me bluza të verdha ku shkruhej “Numëro çdo votë” dhe duke kërcyer në rrugë.
Në Detroit, një grup mbështetësish të presidentit Trump, disa të armatosur, protestuan pranë vendit të numërimit, duke tundur flamuj dhe me thirrjet, “Luftoni!”
Fryma e protestave në Filadelfia nuk ishte aq e ndezur, kur demonstrues nga të dyja kampet qëndruan në anë të ndryshme të barrierave, nën prani të shtuar policore. Autoritetet e rendit thanë se kishin arrestuar një person të armatosur të enjten në mbrëmje në kuadër të hetimeve mbi njoftimet se kishte plane për të sulmuar qendrën e konferencave në qytet, ku po numërohen votat.
Të dyja palët ishin organizuar pas komenteve të ashpra të presidentit lidhur me procesin e numërimit të votave, që deri tani tregon në epërsi demokratin Joe Biden, i cili gradualisht ka krijuar një avantazh në numrin e votave elektorale.
Në shtetin ende të padeklaruar të Arizonës ku gara po rezulton e fortë, përkrahësit e dy kandidatëve u përballën në Finiks pranë Departamentit Zgjedhor të komunës Marikopa. Grupe të armatosura rëndë të krahut të djathtë u mblodhën pranë ndërtesës ku punonjësit lokalë të zgjedhjeve numëronin votat.
Protestuesit në mënyrë të përsëritur akuzuan shefin e komunës Marikopa, Adrian Fontes se nuk kishte numëruar disa vota duke dëmtuar presidentin Trump, megjithëse nuk ka prova që ka pasur parregullsi në numërimin e votave.
Ndërkohë që ende nuk ka një rezultat për zgjedhjet presidenciale, përballje të tensionuara mes protestuesve nga të dyja palët janë regjistruar në qytete si Atlanta të Xhorxhias, Detroit të Miçiganit, Las Vegas të Nevadës dhe Miluaki të Uiskonsinit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




