Bie çmimi i grumbullimit të qumështit, fermerët e Fierit kërkojnë rregullimin e tregut

Fermerët e Fierit dhe Mallakastrës kanë dalë në protestë në lidhje me çmimin e ulët të qumeshtit që ofrojnë grumbulluesit.
Vitin e kaluar sipas fermerëve qumështi i bagëtive të imta është mbledhur me 170 lekë për liter, ndërsa çmimi që ofrohet këtë vit është shumë më i ulët 120 lekë. Kjo situatë e krijuar po i çon fermerët drejt falimentimit për shkak se ata nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet.
Në shenjë protestë fermerët bllokuan për disa minuta qarkullimin e automjeteve në aksin Levan-Vlorë me kërkesën për mbështetje të blegtorisë, një ndër shtyllat kryesore të bujqësisë.
Një ditë më parë blegtorë nga Përmeti, Tepelena, Himara, Gjirokastra , Saranda, Delvina bllokuan aksin Kardhiq – Delvinë, në shenjë proteste për monopolin që sipas tyre po kërkojnë të vendosin fabrikat e përpunimit të qumështit mbi lëndën e pare.
Për zgjidhjen e situatës është angazhuar dhe ministrja e bujqësisë Anila Denaj e cila kërkoi nga përpunuesit e qumështit për të gjetur një gjuhë komunikimi dhe për të trajtuar informalitetin në treg.
Gazetare Heriselda Dyrmishi
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




