Bien infektimet me COVID-19 në të gjithë botën, OBSH: Koha për t’i dhënë fund pandemisë

“Bota nuk ka qenë kurrë në pozitë më të mirë për t’i dhënë fund pandemisë së COVID -19”. Kështu ka deklaruar drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë për shtyp. Referuar uljes së numrit të infektimeve me koronavirus në botë, Ghebreyesus i bëri thirrjeve shteteve që të shfrytëzojnë këtë mundësi për t’i dhënë fund pandemisë.
Sipas tij fundi po shihet ndërsa shtoi se nëse nuk veprohet tani, rrezikojmë të përballemi me më shumë variante, më shumë vdekje, dhe me më shumë paqartësi.
“Numri i rasteve të reja me koronavirus, i cili ka lënë të vdekur miliona njerëz prej fundit të vitit 2019, ka rënë në nivelet më të ulëta prej marsit të vitit 2020. Nuk kemi qenë kurrë në pozitë më të mirë për t’i dhënë fund pandemisë. Nuk e kemi arritur ende këtë gjë, por fundi po shihet.
Një vrapues maratone nuk ndalet kur sheh se i është afruar fundit. Përkundrazi, ajo vrapon edhe më shumë, me gjithë energjinë që i ka mbetur. Ashtu duhet të veprojmë edhe ne. Ne po e shohim fundin. Jemi në pozicion fitues. Tani është koha më e keqe për të ndalur vrapin. Nëse nuk veprojmë tani, rrezikojmë të përballemi me më shumë variante, më shumë vdekje, dhe me më shumë paqartësi”,-tha Ghebreyesus.
Vdekjet nga COVID-19 javën e kaluar ishin më të paktat që nga marsi 2020.
Koronavirusi e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, u raportua për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli COVID-19 si pandemi më 11 mars të vitit 2020. Që nga fillimi i pandemisë, OBSH ka numëruar më shumë se 600 milionë raste dhe rreth 6.4 milionë vdekje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




