Bill Clinton sot 77 vjeç, Rama e uron: Gëzuar ditëlindjen, zoti President

Aktualitet | 3 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ka uruar ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, me rastin e 77-vjetorit të lindjes.

Urimin, Rama e postoi në rrjetet sociale përmes një fotoje me ish-presidentin Clinton duke mbajtur në dorë bluzën e kombëtares shqiptare.

“Gëzuar ditëlindjen, zoti President,” shkroi Rama në Instagram, të bashkëngjitur edhe flamujt e Shqipërisë dhe Amerikës.

Ish-presidenti Clinton vizitoi Tiranën më 3 korrik, ku iu akordua edhe titulli “Ylli i Mirënjohjes Publike”, një nga nderimet më të larta që kryeministri shqiptar mund t’i japë personaliteteve të shquar.

“Z. President, ju njeri i shpresës, keni qenë me ne përmes fjalëve dhe veprave tuaja. Ju sot jeni me ne për të na kujtuar mësimet nga një histori jo fort e largët, për të konfimuar angazhimin e Amerikës ndaj paqes sonë,” u shpreh atëherë kryeministri Rama në arsyetimin për kontributin e tij ndaj popullit shqiptar.

Clinton u largua ditën tjetër nga Shqipëria duke lënë pas një mesazh që e bëri publik vetë kryeministri Rama: “Ishte e gjitha e jashtëzakonshme! Nuk do desha të ikja sot dhe po iki duke menduar se emri tjetër i Nju-Jorkut është West Albania.”

Për shqiptarët, Bill Clinton mbahet mend se miratoi dhe realizoi vendimet e OKB-së për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, që të ndalej gjenocidi i saj në Kosovë.

Demokrati 77-vjeçar shërbeu si Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme