Biseda Biden – Putin, presidenti rus: Sanksionet e reja mund të prishin plotësisht marrëdhëniet diplomatike!

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar homologun e tij amerikan Joe Biden se vendosja e sanksioneve të reja mbi Ukrainën mund të çojë në një prishje të plotë të marrëdhënieve mes dy superfuqive. Bisëda telefonike mes 2 presidentëve për të cilën zyrtarët amerikanë thanë se zgjati 50 minuta, vjen mes shqetësimeve të Perëndimit për javë të tëra mbi vendosjen e dhjetëra mijëra trupave të Rusisë pranë kufirit të saj me Ukrainën.
Këshilltari i presidentit rus për politikën e jashtme Yuri Ushakov tha se Rusia ishte e kënaqur me bisedën, për të cilën ai tha se përqendrohej në garancitë e sigurisë që Moska dëshiron nga Perëndimi, por se çdo sanksion thelbësor kundër Rusisë do të ishte “një gabim kolosal”.
Ndërsa zyrtarët amerikanë thanë se prsidenti Biden, i ka thënë Putinit se SHBA dhe aleatët e saj do t’i përgjigjen me vendosmëri çdo tentative për pushtimin e Ukrainës. Edhe pse të dy palët shkëmbyen paralajmërime gjatë bisedës, Yuri Ushakov u tha gazetarëve menjëherë pas kësaj se Putin ishte “i kënaqur” me bisedën. Ai shtoi se kishte krijuar një “sfond të mirë” për bisedimet e ardhshme.
Një zyrtar i lartë amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se toni kishte qenë “serioz dhe thelbësor”. “Presidenti Biden përsëriti se përparim thelbësor në këto dialogë mund të ndodhë vetëm në një mjedis de-përshkallëzimi,” tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki.
Zyrtarët amerikanë dhe rusë do të takohen për bisedime në Gjenevë më 12 janar, ndërsa Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Biden i kërkoi homologut të tij rus të ndiqte një zgjidhje diplomatike.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




