Blushi: Basha provokon Presidentin për të shfajësuar vetveten!

Këshilltari për Mediet dhe zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi tha të shtunën se kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po provkon presidentin Ilir Meta për të shfajësuar vetveten, ndërsa po kërkon të spostojë vëmendjen nga një tjetër krizë shumë e rëndë, ku e ka zhytur sërish opozitën.
Komentet e tij zoti Blushi i bëri pasi zoti Basha deklaroi në media se qasja e Metës para zgjedhjeve ishte ajo që shkatërroi frymën opozitare në 25 prill.
“Përsëri kryetari kukull, me porosi të padronit të tij, në shëtitjet mediatike të komisionuara, u përpoq të provokonte presidentin Ilir Meta për të shfajësuar vetveten nga të gjitha greminat drejt të cilave e çoi opozitën nga 17 maj 2017 deri më 25 prill 2021. Si kontribuuesi kryesor i Rilindjes, me katërkëndëshin e përgjegjësive të tij madhore: bojkoti i reformës administrative-territoriale; bojkoti i reformës në drejtësi; djegia e mandateve të deputetëve; zerimi i opozitës në pushtetin vendor, që sollën kapjen totale të shtetit, tashmë i vendosur të bojkotojë edhe kuvendin e demokratëve nga pamundësia e ballafaqimit me ta, kërkon shpëtim duke kërkuar në mënyrë të mjerë të spostojë vëmendjen nga një tjetër krizë shumë e rëndë, ku e ka zhytur sërish opozitën”, tha Blushi.
Sipas tij, ishte pikërisht Basha ai që i kërkoi Presidentit shtyrjen e datës së zgjedhjeve vendore 2019.
“Hipokriti, që gjoja do përmbyste me dhunë regjimin në mitingun e 8 qershorit 2019, iu lut në gjunjë dhe me lot në sy presidentit Meta, në Gjermani, për t’i anuluar zgjedhjet vendore se nuk i kontrollonte dot më njerëzit dhe se mund të kishte gjakderdhje. Presidenti Meta në vlerësim të interesit publik dhe për të shmangur çdo përplasje, mori një vendim shumë të vështirë, për shfuqizimin e datës dhe për t’i dhënë mundësinë opozitës të përfshihej në një datë tjetër”, tha Blushi.
Ai e cilësoi kreun e PD-së “kukull”.
“Hipokriti, që paska qenë në krah të Presidentit të Republikës, as nuk denjoi të regjistrojë PD në KQZ për zgjedhjet e 13 tetorit 2019, sepse kështu i interesonte Rilindjes, për t’i thënë botës, që Presidenti ia fut kot se PD nuk do zgjedhje. Kryetari, kukull ka qenë, është dhe do të mbetet i tillë, deri në fund, dhe asnjë spërdredhje, pazar apo mashtrim nuk ia ndryshon dot fundin e paracaktuar si çdo kukulle në politikë”, deklaron Blushi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




