Bojkoti i votimeve, Dhurata Çupi kundër: Nuk i bindem më bojkotit për interes personal

Politikë | 4 vite më parë

Grupi parlamentar i PD nuk mori pjesë në votimin për Avokatin e Popullit, pasi kryeministri Rama deklaroi votën kundër të PS për 2 kandidatët, njëri i grupit Alibeaj, tjetri i grupit Berisha. Por përpara largimit pa votuar, opozita akuzoi Ramën se po përdor votimin e Avokatit të Popullit për të marrë vota nga opozota për kandidatin për Gjykatën Kushtetuese, Ardian Dvorani.

Por nënkryetarja demokrate e Komisionit të Ligjeve, Dhurata Çupi, e rrëzoi këtë skenar gjatë një interviste në emisionin “Pa Censurë”.

“Bojkoti nuk i ka sjellë asnjë të mirë PD. Nuk e di pse u kërkua bojkoti. Në gjykimin tim, nuk është dinjitoz etiktetimi i deputetëve brenda grupit. U tha qartësisht se deputetët janë të joshur, nën shantazh. Deputetët i kanë qendruar vendimeve të grupit dhe rasti i fundit tregoi se asnjë deputet nuk qendroi në votim. Në gjykimin tim modest, e gjykoj vendimin për largim dhe etiketimin e deputetëve një vendim të gabuar.” – u shpreh zonja Çupi, e cila i tha gazetares Elona Meço se kishte marrë edhe një vendim tjetër si mësim nga ajo seancë.

“Ne i kemi qendruar gjithmonë vendimeve, nuk ka patur thyerje të vendimeve dhe jam krenare për këtë. Por, sa herë të vihet në pikëpyetje integriteti i deputetëve, tashmë e mbrapa, do të mbaj qendrimin tim dhe nuk do të bëhem pjesë e qendrimeve të çastit. Kur të flitet për bojkot, nëse nuk do të ketë argument të qartë politik, që i intereson opozitës, unë nuk do t’i nënshtrohem tani e mbrapa thirrjeve për interesa personale, pa llogari politike të qarta. Pra, pa një interes të qartë politik të opozitës, nuk do të bëhem pjesë e lojrave të vogla dhe interesave thellësisht personale”- deklaroi zonja Çupi.

Nënkryetarja demokrate e komisionit të Ligjeve beson se pas disa dështimeve të opozitës në Kuvend, përfshirë dhe këtë të fundit, qëndron edhe PS. “Nuk di rast konkret të ndikimit të PS në grupin tonë parlamentar, por fakti i disa dështimeve në vendimet në Kuvend, tregon që PS ka ndikim, siç ndodhi me seancat e fundit. Ndikimi i tyre është që ne t’i kthehemi politikës së bojkotit, të na përçajnë nga brenda. Një politkan modest qartësisht mund ta identifikojë këtë- tha zonja Çupi për emisionin “Pa Censurë”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme