Borrell: Bllokada ruse e miliona tonëve drithë ukrainase, një krim i vërtetë lufte

Bllokada ruse e miliona tonëve drithë ukrainase është një “krim i vërtetë lufte”, thotë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Është e paimagjinueshme, nuk mund të imagjinohet që miliona tonë grurë të mbeten të bllokuara në Ukrainë, ndërsa në pjesën tjetër të botës njerëzit vuajnë nga uria. I bëjmë thirrje Rusisë që të zhbllokuar portet ukrainase“, tha Borrell.
Ministrat e jashtëm të BE-së u takuan të hënën në Luksemburg për të diskutuar krizën.
Vendet perëndimore kanë kërkuar nga Rusia të ndalojë bllokimin e porteve të Ukrainës në Detin e Zi dhe të lejojë depot e mëdha të drithit të arrijnë në tregjet botërore.
Bllokada ka shkaktuar paralajmërime se dhjetëra miliona njerëz janë në rrezik të urisë dhe ka bërë që çmimet e ushqimeve të rriten.
Borrell tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës kishte pasur një ndikim të dëmshëm në mbarë botën.
Në një konferencë shtypi pas takimit, ai tha se bllokada e Rusisë ndaj eksporteve të grurit ukrainas ishte “një përpjekje e qëllimshme për të krijuar uri në botë” dhe për të vënë presion shtesë mbi BE dhe Ukrainën.
Sipas Borrell, ministrat e jashtëm të BE-së do të kontaktojnë homologët e tyre në të gjithë kontinentin afrikan në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë.
Ai hodhi poshtë pretendimin e Rusisë se kriza aktuale e ushqimit është rezultat i sanksioneve të BE-së, duke shtuar se sanksionet e BE-së “nuk i ndalojnë” vendet jashtë BE-së të marrin pjesë në praktikat e tregtisë ushqimore me Rusinë ose vende të tjera./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




