Bota reagon ndaj sulmeve të SHBA në Venezuelë – Të respektohet e drejta ndërkombëtare

Botë | 10 muaj më parë

BE bëri thirrje për përmbajtje pas sulmit të Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës, që përfundoi me kapjen e presidentit Nikolas Maduro. “Në çdo rrethanë, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së duhet të respektohen.”- thuhet në mesazhet e Presidentes së Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen dhe Përfaqësuese së Lartë Kaja Kallas.

Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer u shpreh se vendi i tij nuk është përfshirë në operacionin e SHBA-së në asnjë formë, ndërsa shtoi se të gjithë duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar. Spanja bëri thirrje për shtensionim të situatës, ndërsa u shpreh e gatshme të ndërmjetësonte për të arritur në një zgjidhje të negociuar dhe paqësore. Gjermania, Polonia dhe Italia deklaruan se po i ndjekin nga afër zhvillimet në venenzuelë.

Rusia e dënoi sulmin ushtarak të SHBA-së si një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Të njëjtën gjë shprehën edhe vendet fqinjë dhe aleatët e Venezuelës. Irani, i cili ka lidhje të ngushta me vendin e pasur me naftë tha se dënon fuqimisht sulmin ushtarak amerikan, duke e denoncuar si shkelje flagrante të sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial të atij vendi.

Kolumbia e quajti atë operacion një sulm ndaj sovranitetit të Amerikës Latine që do të çonte në një krizë humanitare. Presidenti Gustavo Petro bëri thirrje për mbledhje të menjëhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa njoftoi dislokimin e forcave ushtarake në kufirin me Venezuelën.

Kuba, një aleat tradicional rajonal, denoncoi atë që e quajti terrorizëm shtetëror kundër popullit të guximshëm venezuelian, duke kërkuar përgjigje të menjëhershme nga bashkësia ndërkombëtare. Të papranueshme i cilësoi presidenti brazilian Lula da Silva sulmet e SHBA-së ndaj Venezuelës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme