Braçe, apel qytetarëve: Vaksinohuni edhe me dozën e dytë antikovid

Zv.kryeministri Erion Braçe apeloi sot qytetarët që të vaksinohen për t’u mbrojtur nga COVID-19.
“Mos ki frikë! Çohu e shko bëj vaksinën! Doza e dytë është jetike, thjesht doza e parë nuk të mbron!”, u shpreh Braçe nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, duke sjellë edhe shifrat e vaksinimit në Lushnjë e Divjakë.
Nga 15 mars 2021 deri më 31 korrik 2021, në bashkitë Lushnjë e Divjakë, janë bërë 58204 vaksina. Në Lushnjë 36355 vaksinime. Doza të para janë dhënë 17304, doza të dyta 19051. Në Divjakë 21849 vaksinime: doza të para 15030, doza të dyta 6819.
“Siç e shihni; kemi problem në Divjakë. Njerëzit duhet të bëjnë dozën e dytë patjetër! Vetëm me dozën e parë mbrojtja imunitare nuk është e garantuar! Duhet ta bësh dozën e dytë patjetër!”, shtoi Braçe.
“Ndërkohe ti që nuk e ke bërë as dozën e parë akoma, pavarësisht moshës, çohu, shko e bëje! Mos e neglizho duke menduar se fshat është, i izoluar e pa kontakte. Divjaka e gjithë nuk është e izoluar!”, theksoi zv.kryeministri.
“Ku prodhohet e tregtohet kontaktet janë masive! Mjafton një i ardhur të jetë i infektuar dhe ndodh gjëma! A e mbani mend tetor 2020-mars 2021 në Këmishtaj, Mërtish, Mizë, Xeng, Divjake, Çermë Sektor, Çermë e Sipërme, Grabian me infektime e vdekje? Pa vaksinë rrezikojmë të njëjtin tmerr mes të pa vaksinuarve!”, përfundoi Braçe.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




