Brenda dyerve të mbyllura të PD-së/ Debatet në kryesi gjatë përjashtimit të Berishës

Mbledhja e të hënës e kryesisë së Partisë Demokratike, nën drejtimin e Lulzim Bashës, ka zgjatur për orë të tëra. Deri në arritjen e vendimit për përjashtimin e Sali Berishës dhe grupit të tij ajo ka kaluar përmes debatesh nga ajo pjesë e anëtarëve të kryesisë të paranishëm në mbledhje. Për Kreshnik Çollakun, „vija e kuqe“ që nuk duhet të kishin kaluar protestuesit e thirrur nga Berisha do të ishte përdorimi i dhunës fizike.
“Ajo që ndodhi në 8 janar ishte kalimi i kësaj vije të kuqe. Në 8 janar, më vjen turp ta them dhe është mjerim se ish miq e bashkëpunëtorë tanë, drejtuan një sulm fizik kundra nesh. A e dini se brenda turmës në vijën e parë të mercenarëve të paguar që shqyenin dyert kanë qarkulluar lista me emra të veçantë deputetësh që duhet të linçoheshin fizikisht brenda godinës? Pra, rrezik ka qënë jo vetëm godina, por edhe jeta e disave këtu brenda. Dhuna për mua është një kufi ndarës me këdo. Ndaj unë mendoj me këdo që nxiti apo përdori dhune ndaj nesh, kolegëve e ish-miqve të tyre, nuk ka çfarë na mban më bashkë. Në këtë parti dhunuesit dhe të dhunuarit nuk mund të rrinë më bashkë. Ne nuk duhet të lejojmë kurrë që PD të kthehet në një bunker antiamerikan për çdo lloj arsyeje dhe me çdo lloj çmimi”, është shprehur Çollaku.
Për Endri Hasën nuk ka negociata dhe ulje në tryezë me ata që erdhën në PD për të na vrarë.
“Do të ishte e vështirë për mua, por edhe për të gjithë kolegët, të përballeshim me vendime për përjashtimin apo pezullimin e funksionarëve apo ish-funksionarëve që kanë mbajtur detyra të rëndësishme në këtë parti. Por pas 8 Janarit, s’mund të fshihemi pas gishtit. Pjesa më e madhe e anëtarëve të kryesisë ishin dëshmitarë okularë të asaj që ndodhi në 8 Janar. Ata erdhën për të na vrarë, dhe ne vazhdojmë të diskutojmë për t‘u ulur në të njëjtën tryezë, si dhe për të ndarë vendimmarrje të përbashkët. Ata nuk mund dhe nuk duhet të jenë këtu”, është shprehur Hasa
Ervin Salianji është shprehur se dhuna është e papranueshme dhe duhet të distancohet çdo përfaqësues i Partisë Demokratike. Por ndryshe nga anëtarët e tjerë të kryesisë, Salianji ka thene se:
“Kryesia duhet të bëje diferencën me gjithçka që kemi bërë gabim në 8 vitet e bashkëdrejtimit të perceptuar. Personalisht isha dhe jam për mosvendosjen as të hekurave, as të betejës për godinë. Nuk e marrin dot godinën dhe as marrin dot legjitimitet prej saj, sado rrotull të vijnë. Ashtu siç hyjnë dalin, sepse ligji është kufiri dhe jo sjellja tribale dhe as zaptimi! Dalja në terren dhe kontakti me demokratët duhet të ishte më i shpeshtë në këto muaj, madje dhe zëvendësimi i kujtdo që nuk ka më peshë elektorale ose është i papranueshëm për demokratët apo qytetarët në zonat që mbulojnë. Ne kemi tentuar të imponojmë politikanë të diskredituar që populli i ka refuzuar me votë disa herë! Merita duhet të kthehet në themel të kësaj force”, është shprehur Salianji.
Edhe Grida Duma kërkoi veprime konkrete: “Sot mendoj që gjërat duhen thënë hapur. Po, ne jemi kompleksuar! Kompleks kudo, veprojmë vonë, marrim vendime vonë, jemi të vonuar të flasim troç me njerëzit, e lëmë kundërshtarin të ecë një hap përpara.
Sa i përket godinës, nuk mundemi ne ta bëjmë betejën për godinën si luftë guerrilie. Asnjë kompleks nuk mund të kesh të kërkosh policinë të veprojë. Si mundet në të pretendojmë që do mbrohet godina e partisë me hekura, blinda dhe hunj, dhe të kompleksohemi që të veprojnë institucionet? Po duhet të veprojë policia dhe sepse ndërhyri policia u evitua gjakderdhje. Tí themi gjërat siç janë. Për pak minuta mund të kishte gjak, dhe gjakun po presin disa dhe ne e dimë mirë. Godina e PD duhet të ç’mitizohet. Le të hapet godina dhe për simbolikë. Të mbrohet zyra juaj, si institucioni i kryetarit”, ka thënë zonja Duma.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




