“Bullgaria bllokoi fillimin e negociatave të Shqipërisë për 8 vjet”, MPJ bullgare i përgjigjet Ramës: E papranueshme

Politikë | 4 vite më parë

Ministria e Jashtme bullgare ka reaguar lidhur me deklaratën e Kryeministrit Edi Rama gjatë Forumit të Bled më 29-30 gusht se Bullgaria bllokoi fillimin e negociatave të Shqipërisë për 8 vjet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ministria e Jashtme bullgare i ka konsideruar këto deklarata si të papranueshme dhe të pahijshme. Sipas MPJ retorika antibullgare e Ramës është kthyer në një refren të përhershëm të fjalimit të tij politik.

“Në lidhje me deklaratat e reja, të paprovokuara, të njëpasnjëshme antibullgare të kryeministrit shqiptar Edi Rama gjatë Forumit të Bled më 29-30 gusht të këtij viti, bazuar në deklaratën e rreme se Bullgaria bllokoi fillimin e negociatave të Shqipërisë për 8 vjet për anëtarësimin në BE. MPJ i refuzon me vendosmëri sugjerimet e tij si të papranueshme dhe të pahijshme për sjelljen e një kryeministri të një vendi kandidat për anëtarësim në BE. Ministria e Jashtme ka shprehur tashmë qëndrimin e saj në lidhje me retorikën antibullgare të Edi Ramës, e cila është kthyer në një refren të përhershëm të fjalimit të tij politik.

Tani ajo është e kombinuar me një fokus anti-evropian dhe një përpjekje për të poshtëruar mekanizmat e procesit evropian. Deklaratat zbulojnë keqkuptime rreth kuptimit politik të procesit të vendosjes së marrëdhënieve në rajon në binarët evropianë. Natyrisht, bëhet fjalë ose për mungesë të aftësive komunikuese evropiane ose për një nxitje të qëllimshme të ndjenjave anti-evropiane. Bullgaria rezervon të drejtën të reagojë në mënyrën e duhur ndaj sjelljes së kryeministrit shqiptar, duke ndjekur parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane”, thuhet në njoftimin e MPJ bullgare.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme