Bullgaria: Nuk ndryshojmë qëndrim për Maqedoninë. Mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE!

Bullgaria nuk do të heqë veton për fillimin e negociatave ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, por nga ana tjetër është e gatshme të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit, njoftoi të mërkurën qeveria tranzitore bullgare, raportoi BGNES.
Ky qëndrim u miratua nga kabineti qeveritar i kryeministrit të përkohshëm Stefan Janev para pjesëmarrjes në Këshillin Evropian më 14 dhjetor. Bullgaria do të përfaqësohet nga Presidenti Rumen Radev, nëse deri atëherë nuk zgjidhet një qeveri e rregullt në parlamentin e 47-të, njofton INA.
“Bullgaria do t’i përmbahet Deklaratës së Asamblesë Kombëtare të datës 10 tetor 2019 në lidhje me zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Stabilizim-Asociimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe qëndrimin kornizë për perspektivën evropiane.
Për Bullgarinë, parimi themelor i meritave të secilit kandidat mbetet vendimtar. Bullgaria beson se Shqipëria është e gatshme për progres në rrugën drejt BE-së dhe është e gatshme të mbështesë miratimin e Kuadrit Negociator për vendin dhe mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”, tha Këshilli i Ministrave.
Sipas njoftimeve, këtë qëndrim Bullgaria do ta mbrojë në mbledhjen e Këshillit për Punë të Përgjithshme që do të mbahet më 14 dhjetor në Bruksel.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




