Bullgaria s’heq veton ndaj Maqedonisë së Veriut për integrimin, mbetet ‘peng’ Shqipëria! Varhelyi: I zhgënjyer

Politikë | 5 vite më parë

Shqipëria duket se ende nuk do të marrë ‘dritën jeshile’ për hapjen e negociatave me BE, duke vijuar të mbetet ‘peng’ i këtij procesi për shkak të vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.

Bullgaria nuk do të ‘lëshojë pe’ dhe kushti që ajo të heq veton e saj dhe Maqedonia e Veriut të fillojë procesin e negociatave me BE-në duhet që bullgarët në vend të jenë të regjistruar në Kushtetutë. Kështu deklaroi ministrja e Jashtme bullgare, Teodora Gençovska para konferencës “BE takon Ballkanin” në Sofje, ku i pranishëm ishte dhe komisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi.

“Për të filluar procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, mbetet kërkesa që Republika e Maqedonisë së Veriut të regjistrojë bullgarët në Kushtetutën e saj. Në këtë fazë fillimisht duhet ta zbatojnë dhe më pas të fillojnë negociatat me ta”, tha Gençovska.

Ky vendim i Bullgarisë është pritur me keqardhje dhe zhgënjim nga komisioneri i BE, Varhelyi, i cili tha se prej dy vitesh procesi mbahet peng.

“Nëse ke pushtet dhe nuk e përdor, kjo konsiderohet nga të tjerët si kapitullim, dorëzim i pushtetit tënd dhe i kapaciteteve të tua. Çështja për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është kur do fillojmë procesin e negociatave të anëtarësimit. Nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim, që jemi ende duke vazhduar të diskutojmë këtë çështje. Ne menduam se e kishim zgjidhur dy vjet më parë dhe tani kjo është sërish në tryezë”, tha Varhelyi për mediat bullgare.

Edhe gjatë takimit që Varhelyi zhvilloi me presidentin bullgar Rumen Radev, Varhelyi tha se e vetmja mënyrë që të siguruar stabilitetin e rajonit dhe sigurinë e BE është hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Kënaqësi të takoja presidentin bullgar Rumen Radev në një kohë kaq kritike. Ne ramë dakord që ruajtja e paqes dhe sigurisë ne BE dhe Ballkanin Perëndimor është prioriteti ynë më i madh. Mbajtja e konferencë së parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është vendimi më i rëndësishëm për të marrë”, shkruan në twitter Varhelyi.

Prej dy vitesh Shqipëria ka mundur të mposhtë skepticizmin e vendeve anëtare  të BE si Holanda apo Franca, por tashmë ka mbetur ‘peng’ i vetos bullgare.  Bullgaria kërkon nga Maqedonia e Veriut të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë e saj dhe këto të regjistrohen në Kushtetutë, në të kundërt nuk do të lejojë integrimin e saj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme