Bullgaria: Shqipëria të vlerësohet veçmas nga MV në procesin e negociatave

Rajon | 5 vite më parë

Bullgaria konfirmoi veton e saj për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit midis Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut, gjatë një takimi të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, duke thënë se vendi ende duhet të përmbushë kriteret për të zhbllokuar procesin, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme bullgare, sipas bne.eu.

Aktualisht, përparimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ka ngecur për shkak të vetos së Bullgarisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, lidhur me çështjet dypalëshe gjuhësore dhe historike.

“Fatkeqësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut ende nuk i përmbush kriteret për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare”, tha pas takimit ambasadori i Bullgarisë në BE, Rumen Aleksandrov.

Ai shtoi se Shqipëria duhet të vlerësohet veçmas nga Maqedonia e Veriut, bazuar në arritjet e saj.

Aktualisht, procesi i dy shteteve është i lidhur së bashku dhe vetoja e Sofjes ndaj Shkupit bllokon fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE edhe me Shqipërinë.

Aleksandrov gjithashtu vuri në dukje se Bullgaria ka propozuar disa opsione për tejkalimin e çështjeve me Maqedoninë e Veriut lidhur me të drejtat e banorëve me kombësi bullgare si dhe me zbatimin e traktatit të miqësisë të nënshkruar mes dy shteteve.

“Partnerët tanë në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të marrin angazhime specifike detyruese, një pjesë e të cilave të përmbushet në afat të shkurtër dhe pjesa tjetër të përfshihet në kërkesat e kornizës së ardhshme të negociatave. Derisa kjo të ndodhë, nuk mund të pritet përparim në procesin e zgjerimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Aleksandrov.

Bullgaria ka qenë nën presionin ndërkombëtar për të zhbllokuar fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Edhe senatorët e SHBA Klaudia Tenney dhe Uilliam R. Keating, të dy anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, i kërkuan Sofjes të gjente një kompromis dhe të zgjidhte situatën.

Në një letër drejtuar ambasadorit të Bullgarisë në Uashington, Tihomir Stoytchev, ata shkruanin se bllokimi i mëtejshëm i procesit do të hapte derën për ndikim më të fortë rus dhe kinez në rajon./ATSH


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme