Burgosja e Salianjit, Berisha: Opozita nuk tërhiqet, shkojmë në mosbindje civile

Ish-kryeministri Berisha u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve lokalë dhe qëndrorë të Partisë Demokratike që të shkojnë deri në mosbindje civile, pas burgosjes së deputetit Ervin Salianji dhe përplasjes së fundit në Kuvend.
Duke folur nga banesa e tij në një konferencë online me gazetarët, Berisha tha se shteti ligjor ka zëvendësuar kodin e mafies dhe se shqiptarët janë gati për ccdo sakrificë.
“Së treti, jam këtu për t’u bërë thirrje të gjithë deputetëve të parlamenteve lokale, të bëjnë gjithçka në mosbindje civile për t’i shkurtuar ditët regjimit të drogës, krimeve monstruoze.
Të ftoj dhe njëherë të gjithë drejtuesit lokalë dhe qëndrorë të PD-së në dalin në ballë të revoltave dhe mosbindjes civile në të katër anët e vendit.
T’u faktojmë shqiptarëve dhe botës se diktatura në Shqipëri i ka ditët e shkurtra.
Se Shqipëria sundohet nga grupi mafioz më i rrezikshëm qeveritar në Europë.
Se shteti ligjor është zëvendësuar me kodin e mafies.
Se Shqipëria është vendi i të burgosurve politikë dhe i përpjekjes satanike të mafies shqiptare dhe ndërkombëtare për të shkatërruar opozitën e vendit në funksion të Edi Ramës, kryemafiozit të Shqipërisë dhe Europës.
Se shqiptarët janë të gatshëm për çdo sakrificë për të votuar të lirë si të gjithë qytetarët europianë.
Se ata do përdorin të gjitha mjetet e ligjshme të protestës kur janë përballur me regjime diktatoriale në Europë dhe botë”, u shpreh Berisha.
Ai nënvizoi se “opozita ka zbritur në shesh dhe gjer në përmbushjen e misionit të saj, e vendosur për çdo sakrificë, e vendosur për qëndresën më të fuqishme, ajo nuk tërhiqet”
Gjithashtu Berisha ka dënuar qëndrim e kreut të qeverisë, Edi Rama duke theksuar se me burgosjen e Ervin Salianjit ka ndërmarrë një akt antikushtetues.
“Sot, jam para jush për të dënuar me forcën më të madhe qëndrimin brutal të Edi Ramës, i cili me zëdhënësen e tij, që nuk po përdor epitete, duke marrë pushtetin e Komisionit të Mandateve, ekzekutoi në një akt antikushtetues, antiligjor, vendimin politik të kreut të krimit të organizuar dhe narkoshtetit në Shqipëri, Edi Ramës, për burgosjen e deputetit Ervin Salianji, nënkryetarit të grupit të PD, për rrjedhojë anëtarit të kryesisë së parlamentit shqiptar”, u shpreh Berisha nga banesa e tij në një konferencë online me gazetarët.
Sipas Berishës, ky akt tejkalon edhe standardet e vendeve më moniste, “tregon fytyrën e vërtetë, tregon ringjalljen në shpirtin dhe qenien e Edi Ramës të babait të tij xhelat, Kristaq Rama, që urdhëronte me 10 gusht të vitit 1988, varjen në litar të disidentit Havzi Nela”
Ai shtoi se me burgosjen e Salianjit kryeministri Rama kreu një akt prej “burracaku dëshmon se jo deputeti guximtar Ervin Salianji, por është Edi Rama i tmerruar nga krimet, lidhjet e tij me krimin dhe urdhëron shkelmimin e Kushtetutës, shkelmimin e parlamentit”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




