Buxheti 2022 për bujqësinë, Rama: Rimbursimi 6 % që kontrollohej nga grumbulluesit, u hoq

Ndërsa ka prezantuar buxhetin e ri për bujqësinë për vitin 2022 që e konsideroi më të madhin në histori, kryeministri Edi Rama është ndalur tek protesta e fermerëve e pak ditëve më parë në Lushnje që lidhej me heqjen e rimburismit prej 6 %. Kreu i qeverisë tha se fermerët janë keqinformuar në mënyrë të qëllimshme. Duke bërë një bilanc të mbështetjes që i është dhënë bujqësisë gjatë qeverisjes socialiste, Rama tha se është dyfishuar toka bujqësore që punohet është rritur edhe sasia e eksporteve e duke synuar rritjen e mëtejshme të tyre. Rama tha se bujqësi është i vetmi sektor që nuk paguan asnjë taksë për shtetin.
“ Protestat e fermerëve janë legjitime, por ata që kanë marrë pjesë në një masë të madhe janë të keqinformuar. Çfarë ka ndodhur, në fakt, është shumë e thjeshtë në shifra, dhe pse ne kemi vendosur ta heqim atë rimbursimin e 6% dhe çfarë do bëjmë me atë masë parash që përdorej për rimbursimin, se këto janë pastaj të nevojshme për të kuptuar që është hedhur një hap përpara, jo mbrapa. Duke vendosur atë skemë të rimbursimit të 6%, ne kemi synuar që përmes shfrytëzimit të kapacitetit logjistik të grumbulluesve, të çojmë paratë tek fermeri, në raport me prodhimin e grumbulluar, dhe shifra, në fund fare, ka rezultuar një shifër modeste, por mbi të gjitha një shifër e kontrolluar nga një grusht grumbulluesish të mëdhenj, që jo domosdoshmërisht ka shkuar tek fermeri. E duke qenë se në këtë fazë, në këto vite, i gjithë sistemi i grumbullimit ka përfituar masivisht nga mbështetja e qeverisë dhe posaçërisht e AZHBR dhe duke qenë se grumbulluesit sot, janë një forcë e re, e krijuar në një treg që pa grumbullimin është i destinuar vetëm të mbijetojë në ankthin e falimentit, unë besoj se dhe grumbulluesit do ta mirëkuptojnë këtë që po them sepse ne, jo vetëm që nuk jemi kundër tyre, por përkundrazi, kemi bërë çmos që të rriten dhe të forcohet. Ama, në këndvështrimin tonë, ajo shumë që në fund fare ka rezultuar rreth 9 milionë dollarë të transferohet drejtpërdrejtë në buxhetin e bujqësisë dhe në vend që të shpenzohet përmes një sistemi jo transparent dhe të paqartë rimbursimi, ku siç thashë, pjesa dominante e këtyre parave kontrollohet nga grumbulluesit, të shkojë drejtpërdrejtë për produktivitetin, jo duke u marrë nga buxheti i shtetit për të tjera gjëra, por duke iu dhënë ministries, buxhetin. Kini parasysh që një sektor, i cili gjatë një viti prek shifrën e 3,5 miliardë, sa mund të impaktohet nga vetëm 9 milionë? Flas për miliardë dollarë, si veprimtari. Sa mund të impaktohet, ndërkohë që me këto milionë mund të bëjmë shumë, duke ia shtuar masës së financimit të bujqësisë dhe duke synuar produktivitetin”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se po punohet për të krijuar një sistem të mikro-sigurimit të bujqësisë me qëllim që fermerët të jenë të mbrojtur përballë fatkeqësive natyrore që iu dëmtojnë prodhimin.
“Bujqësia të përfshihet në skemën e sigurimeve, ta sigurojnë prodhimin e tyre, jo të gjenden përballë befasisë së motit dhe t’i kërkojnë qeverisë dëmshpërblim. Nuk funksionon kështu. Na duhet një sistem mikro-sigurimi që t’i kushtojë në minimum fermerit dhe kur të vijë katastrofa, të jetë krejtësisht i siguruar. Bota e kontrollon sigurinë e dhe cilësinë e produktit me satelit, dhe këtë do bëjnë edhe satelitët tanë”, tha kryeministri.
Për kryeministrin Rama bashkimi i fermerëve dhe organizimi i tyre në grupe, është mënyra më e mirë për të përfituar fonde për të rritur prodhimin, duke shmangur investimin në një treg të paorientuar, ku më pas prodhimi mbetet stok dhe mundi shkon dëm.
“Këtu u prek një pikë shumë nevralgjike, që edhe për grumbulluesit, edhe për prodhuesit, edhe për agro-përpunuesit është e domosdoshme që të jenë të orientuar për të kuptuar tregun dhe të jenë të orientuar për të mos prodhuar dhe investuar në drejtime që pastaj rezultojnë se janë drejtimë në kundërshti me tendencën e tregut. U përmend molla starkinge këtu. Është një nga shembujt më domethënës se si mund të shkosh t’i biesh murit me kokë, duke investuar gabim pa e lexuar tendencën e tregut. E çfarë duhet t’u bëjë shteti atyre që insistojnë tek molla starkinge, të shkojë shteti tua blejë? Nuk është shteti që blen prodhimet sot, nuk është shteti që sot garanton tregun. Është sipërmarrja bujqësore, tregu vetë dhe mirëkuptimi nga ana e sipërmarrjes e tendencave të tregut. Ajo që bën Ministria e Bujqësisë, ajo që bën shteti është lehtësimi i këtyre fazave, duke rritur informimin, duke rritur kapacitetin orientues dhe mbi të gjitha, duke u fokusuar me fondet në dispozicion, aty ku tregu është interesant për fermerin, jo duke i shpërndarë paratë në të gjitha drejtimet, siç është bërë në të kaluarën edhe për mollët starkinge, që në fund rezulton humbje për të gjithë. Kur flasim për produktivitet, flasim për maksimizimin e këtyre fondeve që ne vëmë në dispozicion të bujqësisë, duke i investuar në mbështetje të atyre modeleve që rrisin produktivitetin, duke fuqizuar ata shembuj që pastaj bëhet fuqi tërheqëse për të tjerët. Këtu nuk jemi duke folur për një realitet imagjinar, po flasim për një realitet që në Shqipëri është prezent, nga veriu deri në jug, me shembuj kuptimplotë prej të cilëve duhet mësuar dhe nga të cilët duhet kuptuar”, tha Rama
Ndërsa ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, tha se në buxhettin e vitit 2022, 7.1 miliardë lekë shkojnë për mbështetjen dhe investimet për zhvillimin rural. Krifca tha se prioritetet e këtij buxheti për bujqësinë janë rritja e eksporteve, qëndrueshmëria e turizmit rural, digjitalizimi dhe inovacioni.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




