Buxheti 2022, Veliaj: Fokusi tek të rinjtë. Investojmë më shumë në fushën e teknologjisë!

Bashkia e Tiranës vijon turin e dëgjesave për buxhetin e vitit 2022. Kryebashkiaku Erion Veliaj bisedoi me profesionistë të rinj të qytetit lidhur me cështjet që sipas tyre duhet të adresohen në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Veliaj tha se ky buxhet i kushton zërin më të rëndësishëm rinisë, mes të cilave edhe projektet për rijetësimin e Piramidës, Kampusin Universitar në Universitetin Bujqësor, Kopshtin Zoologjik, terrenet e reja sportive dhe pistat e vrapimit te Parku i Farkës, Liqenin e Thatë, apo pista profesioniste te Liqeni Artificial. “Investimin më të madh do ta bëjmë në fushën e teknologjisë së informacionit me transformimin e Piramidës, ku të rinjtë do të kenë mundësi jo vetëm të mësojnë si të kodojnë apo për realitetet virtuale, robotikën, etj., por aty do të gjejnë edhe një bibliotekë e hapësira për aktivitete. Duam që Piramida të jetë shtëpia më e madhe e rinisë. Nëse themi se rinia është prioritet, atëherë do investojmë pronën më të mirë të qytetit, si Piramida, për ta,” tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u ndal te projekti ambicioz i 100 terreneve të reja sportive, që parashikohet të hapen vitin e ardhshëm. “Ne kemi një listë terrenesh të cilat duam t’i kthejmë në 100 hapësira të vogla sportive. Duam që secili prej jush të na japë një dorë për këtë projekt,” tha Veliaj.
Veliaj tha se do të vijoj investime në shkolla. Parashikohet të ndërhyhet në infrastrukturën e gjimnazeve “Partizani” dhe “Besnik Sykja”, si dhe të përfundojë rindërtimi i gjimnazit Sami Frashëri.
Fondi i investimeve vitin e ardhshëm do të jetë rreth 82 milion euro, duke shënuar rritjen e buxhetit të investimeve me 37% në krahasim me vitin 2021.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




