Buxheti 2027, Rama: TVSH-ja për 54 produkte ushqimore do të ulet nga 20% në 6%

Politikë | 59 minuta më parë

Ulja e TVSH-së për 54 produkte ushqimore bazë nga 20% në 6% është një nga masat kryesore të paralajmëruara nga kryeministri Edi Rama në kuadër të buxhetit të vitit 2027 dhe programit buxhetor afatmesëm. Sipas Ramës, përmes kësaj ndërhyrjeje, rreth 150 milionë euro që deri më tani paguheshin nga familjet përmes TVSH-së do të mbeten në buxhetet e tyre familjare.

Në listën e produkteve që pritet të përfitojnë nga ulja e taksës përfshihen mes të tjerash mishi, peshku, bulmeti, makaronat, frutat, perimet dhe ushqimet bazë për foshnjat. Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se do të zgjerohet praktika e pasqyrës së çmimeve, me synimin që ulja e taksës të reflektohet te çmimet për konsumatorët dhe të parandalohet abuzimi nga tregtarët.

“Jemi gati të hedhim të hap të shumëdëshiruar dhe të shumëpritur për familjet e zakonshme, ulim normën e TVSH për ushqimet bazë, nga 20% në 6% për 54 produkte ku përfshihen midis të tjerash mishi, peshku, bulmeti, makaronat, frutat perimet dhe ushqimet bazë për foshnjat. Ne e shtojnë në arkat e familjeve shqiptare rreth 150 mln euro për ushqimet që deri më sot i kalonin shtetit përmes TVSH 20%. Praktika e re e pasqyrës së çmimeve do të zgjerohet, për të garantuar që ulja e çmimeve të produkteve të shportës të jetë e mbrojtur nga abuzuesit e mëdhenj”, tha Rama.

Gjatë prezantimit të objektivave ekonomikë, Rama deklaroi se buxheti i shtetit për vitin 2027 do të kalojë për herë të parë pragun e 10 miliardë eurove. Ai e cilësoi këtë zhvillim si tregues të rritjes së ekonomisë shqiptare, duke iu referuar edhe rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto, i cili sipas tij pritet të arrijë në 30 miliardë euro, nga rreth 10 miliardë euro një dekadë më parë. Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se borxhi publik ka zbritur në një nivel historikisht të ulët, ndërsa paralajmëroi masa të tjera në fushën ekonomike, sociale dhe fiskale.

“Për herë të parë në histori, buxheti i shtetit shqiptar kalon pragun e 10 mld eurove. Kjo shifër mjafton për t’ju thënë të tyre atyre që duan të mbulojën progresin e Shqipërisë se Shqipëria rritet dhe ekonomia e saj po ashtu. Ndërkohë që borxhi ka rënë në një prag të poshtëm historik. Prekja e pragut prej 30 mld eurosh të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, ku 10 vjet më parë ky prodhim ishte tek 10 mld euro, e ilustron panoramën optimiste të ekonomisë. Prandaj në buxhetin e 2027 dhe programin buxhetor afatmesëm, ne kemi planifikuar një sërë masash shumë ambicioze të politikës ekonomike, sociale dhe fiskale. Ne duam më shumë biznese, më shumë kompani, më shumë investime private, të vogla e të mëdha, vendase të huaja. Duam sa më shumë njerëz të pasur në Shqipëri sepse problemi nuk është asnjëherë të pasurit, por hendeku. Ndaj ne mbetemi partizanë të tatimit të ndershëm, kush fiton më shumë paguan më shumë”, deklaroi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme