Buxheti për 2023/ Muzhaqi liston shifrat buxhetore për rininë: Investojmë 52 miliardë lekë

Politikë | 4 vite më parë

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në mbledhjen e kësaj të marte (1 nëntor) ka vijuar me shqyrtimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2023” me Ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi. Kjo e fundit ka listuar para deputetëve shifrat për buxhetimin për Rininë, referuar vitit 2023 dhe programet e Qeverisë Shqiptare që lidhen në mënyrë direkte me të rinjtë dhe fëmijët, pas kërkesës së bërë në mbledhjen e 31 tetorit nga kryetarja e Komisionit, Grida Duma.

Listimi nga Muzhaqi i 15 fushave ku ka investime për fëmijët dhe të rinjtë, në vlerën totale prej 52 miliard lekë nga buxheti i shtetit, ka nxitur reagimin e Dumës. Ndër të tjera, kryetarja e Komisionit ka pyetur ministren e Rinisë për masat që janë marrë për të parandaluar ikjen e të rinjve nga Shqipëria

“Nuk të leverdis të flasësh për fushën që mbulon Ministria e Arsimit”, i tha Duma-Muzhaqit. Nga ana e saj, Ministrja është përgjigjur se kryetarja nuk po i linte kohën e duhur për të listuar shifrat buxhetore për Rininë.

“Më kërkuat të ju listoj shifrat buxhetore për rininë dhe programet tona e tani nuk po më lini t’i listoj. Masat që kemi parashikuar fillojnë nga forcimi i mekanizmave në nivel qendror dhe vendor për të garantuar pjesëmarrjen dhe konsultimin e të rinjve dhe të rejave. Rishikimi i ligjit “Për vullnetarizmin” me qëllim fuqizimin e mundësive për vullnetarizmin e të rejave/rinjve. Fuqizimin e roleve zbatuese, koordinuese, monitoruese të AKR-së”, tha Muzhaqi ndërsa ka vijuar me listimin e të gjitha masave që janë ndërmarrë në Strategjinë Kombëtare të Rinisë 2022-2029: promovimi i përdorimit të sigurt të teknologjive të reja; mbështetja dhe zhvillimi i programeve të seksioneve sportive amatore, arteve, artizanatit dhe aktiviteteve të tjera jashtë-kurrikulare; nxitja e punëve të denja dhe të përshtatshme për të rejat dhe të rinjtë.

Po ashtu, rishikimi i kurrikulave dhe programeve të orientimit, këshillimit për karrierë e punësimit, si dhe mbështetja, ndërtimi, riparimi dhe rinovimi i hapësirave publike të projektuara për të rinjtë, kanë qenë disa nga masat e Strategjisë së Rinisë. Debati mes Dumës dhe Muzhaqit solli mbylljen e seancës së Komisionit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme