Cameron: Hamasi të pranojë marrëveshjen e njoftuar nga Biden

Botë | 2 vite më parë

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron tha se Hamasi duhet të pranojë marrëveshjen e re të armëpushimit, të përshkruar nga presidenti amerikan Joe Biden.

Biden detajoi një marrëveshje trefazore të propozuar nga Izraeli për militantët e Hamasit, që ai tha se do të çonte në lirimin e pengjeve të mbetura në Gaza dhe mund t’i jepte fund luftës gati tetë-mujore.

“Me një marrëveshje të re pengjesh në tryezë, Hamasi duhet ta pranojë këtë marrëveshje në mënyrë që të shohim një ndalesë në luftime, pengjet të lirohen dhe të kthehen te familjet e tyre dhe një vërshim ndihmash humanitare në Gaza”, shkroi Cameron në X.

“Siç e kemi argumentuar prej kohësh, ndalimi i luftimeve mund të kthehet në një paqe të përhershme nëse të gjithë jemi të përgatitur për të ndërmarrë hapat e duhur. Ta shfrytëzojmë këtë moment dhe t’i japim fund këtij konflikti”, shtoi ai.

Faza e parë e planit të presidentit amerikan do të përfshinte një armëpushim të plotë, tërheqjen e trupave izraelite nga zonat e populluara të Gazës dhe lirimin e pengjeve të pambrojtur – duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar – në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Faza e dytë do të shihte lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe tërheqjen e mëtejshme të trupave izraelite.

Faza e tretë do të ishte një rindërtim i Gazës, zona të mëdha të së cilës janë kthyer në gërmadha nga sulmet ajrore izraelite.

/ rtsh.al /

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme