Çelet pelegrinazhi bektashi në Prishtë të Skraparit

Në fshatin historik të Prishtës në Skrapar komuniteti vendas, besimtarë të shumtë bektashi nga Shqipëria dhe bota, çelën zyrtarisht nisjen e pelegrinazhit të madh për vitin 2021 Prishtë – Tomor. Kjo është një traditë e cila vitet e fundit po ringjallet fuqishëm prej banorëvë të larguar dhe atyre që sot jetojnë në Prishtë. Ajo nis prej kohërave kur në Prishtë ishte Kryegjyshata e parë bektashiane e Shqipërisë, dhe është mbajtur kongresi i parë bektashian në vitin 1921.
Në ceremoninë festive u soll muzika tradicionale, polifonia toske skraparase, servirja e gatimeve tradicionale etj.
Prej vitesh 18 deri më 25 gushti, po sillen si ditë reflektimi dhe qetësie shpirtërore, lutjesh për të gjithë besimtarët.
Disa nga trashëgimtarët e udhëheqësve bektashi të cilët shërbyen me devocion në këtë vend të rëndësishëm të bektashizmës shqiptare, kërkojnë që Teqja e Prishtës të rindërtohet ashtu si ka qenë deri në vitet ’80. Ata dëshirojnë të rikthehet lavdia e dikurshme dhe në këtë vend të shenjtë të vendoset një klerik që të shërbejë aty.
Në çeljen e pelegrinazhit bektashi të Prishtës të shumtë ishin ata që kishin ardhur nga diaspora, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Italia dhe Greqia dhe nga shumë shtete të tjera të Europës dhe botës.
18 gushti i vitit 2021 është i rëndësishëm për banorët e Prishtës, Rehovicës, Dorësit e të gjithë kësaj zone edhe për shkak të konkretizimit të inisiativës së tyre për shtrimin e rrugës nga ura e Blezënckës e deri në afërsi të fshatit.
Shumica e të pranishmëve në këtë festë janë donatorët kryesorë për mundësimin e asfaltimit të kësaj rruge, e cila do ta bëjë më të lehtë lëvizjen e pelegrinëve nga i gjithë jugu i Shqipërisë drejt Malit të Shenjtë të Tomorit. Të gjithë pelegrinët thonë se me koontributet e tyre do ta vazhdojnë nismën e shtrimit me tëj të rrugës dhe rikthimit në fshat.
Teqeja e Prishtës dhe tyrbja pranë saj janë faltoret më të rëndësishme për besimtarët bektashinjë, të cilët që prej datës 17 gusht mblidhen për të nisur festimet e pelegrinazhit drejt Tomorit ku dhe bëjnë kurban sipas traditës. Të rinjtë veçantërisht janë ata që i ndezin këto festa dhe u japin një kuptim tjetër.
Prishtalinjtë po përjetojnë ndryshime të rëndësishme sidomos në zhvillimin dhe ngritjen e infrastrukturës rrugore, rritjes së shpresës për një të ardhme më të mirë e pse jo për tu rikthyer dhe investuar në fshat. Sot në këtë zonë Bashkia e Skraparit po shikon mundësinë e realizimit të disa projekteve afatgjate siç është edhe rijetëzimi i Qytetit Ilir të Orgesës i cili ndodhet fare pranë fshatit Prishtë. Projekti synon nxitjen e banorëve të zonës për ngritjen dhe ndërtimin e një infrastrukture turistike për të akomoduar dhe pritur turistë që në këto anë janë të shumtë.
Pelegrinazhi bektashi Prishtë – Tomor, këtë vit po shoqërohet me urimin për një jetë më të mirë, shëndet e begati për të gjithë!
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




