“Çështja McGonigal”/ Meta kërkon dorëheqjen e Ramës: I përfshirë në akte korrupsioni ndaj zyrtarëve të SHBA, të dalë para drejtësisë

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një deklaratë për media ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se së bashku me bashkëpunëtorët e tij, janë evidentuar si pjesëtarë në akte korruptive dhe të paligjshme në çështjen e ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal. Meta ka deklaruar se Rama nëpërmjet korruptimit është përpjekur të përdorë marrëdhëniet dhe komunikimin me zyrtarë të lartë të SHBA me qëllim goditjen e opozitës dhe shbërjen e shtetit ligjor.

“Opinioni shqiptar dhe mbarëbotëror është njohur me dosjen e ish-funksionarit të lartë të FBI, McGonigal dhe me lidhjet e tij të faktuara me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ky është akti më i rëndë i historisë së pluralizmit shqiptar ku Kryeministri i Shqipërisë të përmendet nga Prokuroria Amerikane si i përfshirë në akte korrupsioni ndaj zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edi Rama në mënyrë të drejtpërdrejtë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij janë evidentuar qartë si pjesëtarë në akte korruptive dhe ndikimi të paligjshëm në “Çështjen McGonigal”.

Edi Rama nëpërmjet korruptimit është përpjekur që të përdorë marrëdhëniet dhe komunikimin me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të goditur opozitën, për të zhbërë shtetin ligjor dhe për të siguruar fitime korruptive për veten dhe bashkëpunëtorët e tij”, tha Meta, teksa thekson se Kryeministri Rama me paratë e korrupsionit ka financuar trafikun e influencës dhe ka shfrytëzuar postin e tij për të mbajtur në mënyrë të paligjshme dhe mafioze, pushtetin. Për kreun e Partisë së Lirisë, marrëdhëniet mes Kryeministrit Rama dhe SHBA-ve janë marrëdhënie afeash.

“Veprimtaria e tij  për të manipuluar dhe përdorur një zyrtar të lartë të SHBA ka patur një qëllim të vetëm që përveç mbajtjes së pushtetit të garantojë investime nëpërmjet parave të pista ruse duke i futur ato si atavizma në ekonominë shqiptare dhe duke e vendosur Shqipërinë, jo në frontin e luftës kundër korrupsionit dhe trafiqeve, por në funksion të mbështetjes dhe përdorimit të tyre prej Edi Ramës.

Fshehja e takimeve me Edi Ramën prej Mc Gonigal, si dhe përfshirja publike e bashkëpunëtorit të tij dhe ortakut të tij Rosini janë prova dërmuese se Edi Rama nuk përfaqëson asgjë tjetër veçse një mafioz të ulur në zyrën e Kryeministrit. Është e qartë se për Edi Ramën marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë kurrë dhe nuk janë marrëdhënie vlerash, por marrëdhënie aferash”, u shpreh Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë kërkon dorëheqjen e kryeministri Rama dhe çuarjen e tij përpara drejtësisë.

“Edi Rama është njeriu që me qëllim dhe me strategji të mirëpërcaktuar ka kompromentuar këto marrëdhënie, është përpjekur t’i trondisë ato, është përpjekur të ulë respektin dhe dashurinë që shqiptarët kanë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në funksion të axhendave tashmë të vërtetuara proruse të tij. Dorëheqja e Edi Ramës është një veprim i detyruar pasi niveli i inkriminimit, kompromentimit dhe korruptimit të postit të kryeministrit është skandaloz dhe i paimagjinueshëm.

Drejtësia shqiptare duhet të ishte ngritur në këmbë me kohë përballë fakteve të tilla kaq tronditëse që implikojnë Kryeministrin në mënyrë të drejtpërdrejtë. Drejtësia shqiptare duhet të komunikojë intensivisht dhe ngushtësisht me drejtësinë amerikane për të zbardhur deri në fund të gjithë këtë aferë shtetërore që tashmë kalon edhe kufijtë e Shqipërisë dhe të hetojë e ta çojë Kryeministrin përpara Drejtësisë”, theksoi ai.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme